Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditura masat të cilat duhet të zbatojnë qytetarët në ditën e zgjedhjeve.
KQZ ka bërë thirrje që të respektohen masat antiCOVID, ndërkaq thekson se duhet të mbahet distanca fizike në momentin që qytetarët janë në vendvotime.
Njoftimi i plotë:
KQZ njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote për masat që duhet t’i zbatoni në ditën e zgjedhjeve.
Për të votuar duhet të mbani maskë mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën;
Mbani distancë fizike 2 metra derisa prisni në radhë për të hyrë në qendër të votimit dhe në vendvotim;
Gjatë hyrjes në vendvotim dezinfektoni duart;
Pas dezinfektimit të duarve, prezantoni dokumentin e identifikimit dhe hiqni maskën mbrojtëse me qëllim që të identifikoheni nga anëtari i vendvotimit;
Pas identifikimit, rivendoseni maskën;
Pas kësaj ju duhet të merrni fletëvotimin dhe të hyni në kabinën e votimit për të votuar dhe në fund vendoseni fletëvotimin në kutinë e votimit;
Në dalje të vendvotimit ju duhet t’i dezinfektoni serish duart.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.
Për informata shtesë kontaktoni këtë linjë ndihmëse pa pagesë: 0800 55 555