Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot pasdite për të proceduar konform vendimeve të Gjykatës Supreme.
Kështu ka bërë të ditur për KOHËN, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të lexojë me vëmendje të gjitha vendimet e Gjykatës Supreme dhe ashtu siç e kemi bërë të ditur qysh në fillim të fazës ankimore, do të veprojmë në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme”, ka thënë Elezi.
Gjykata Supreme ka vendosur të premten rreth ankesave të subjekteve politike për certifikimin e listave të kandidatëve për deputetë. Supremja ka pranuar pjesërisht ankesën Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë.
Gjykata ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që Liburn Aliun dhe Labinotë Demi-Murtezajn, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë, por jo edhe bartësin e listës dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti. Njësoj është vepruar edhe me Albulena Haxhiun e Bajram Mavriqin, që s’do të kenë të drejtë kandidimi.
Supremja shkruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3-vjeçar, duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve.
Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Numrin dy të listës së kësaj partie, Shemsedin Dreshajn, e ka lejuar të garojë për deputetë. /Koha/