KQZ-ja ia heq PDK-së mbi 1 mijë vota të cilat i “mori” në vendvotimin me 425 votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmirësuar gabimin teknik ku Partia Demokratike e Kosovës kishte marrë mbi 80% të votave në një vendvotim në Ferizaj.

Partia Demokratike e Kosovës kishte “marrë” 1190 vota në vendvotimin “2501/05” në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, edhe pse ishin vetëm 425 votues.

Në këtë vendvotim shpërputhje kishte pasur edhe në vlerën e përgjithshme të votave në këtë qendër votimi dhe asaj të rezultateve.

Në nivel të përgjithshëm në shkollën “Tefik Çanga” votuan 3831 votues nga 8683 me të drejtë vote. Ndërsa te rezultati i votave, kjo shifër tejkalohet vetëm me vota të LVV-së dhe PDK-së, që kanë marrë bashkë 3833 vota (VV 1952 dhe PDK-ja 1881).

Ky gabim kishte ngjallur reagime tek simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo pas reagimit të tyre KQZ-ja e ka përmirësuar gabimin.

Me përmirësimin e gabimit, KQZ-ja ka përditësuar edhe faqen e tyre lidhur me numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nga 2533 vendvotime, KQZ-ja ka numëruar 2517 prej tyre.

Sipas përditësimit të fundit në ora 16:32, Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rritje.

Momentalisht, VV-ja ka 40,89% të votave, me Partinë Demokratike të Kosovës që vazhdon të ketë 22.06%.

Nga përditësimi i fundit që ishte bërë dje, rritje ka shënuar edhe Lista Serbe dhe AAK-ja.