Rritja e çmimeve të produkteve esenciale në ditët e fundit ka bërë që qytetarët të vërshojnë nëpër dyqane për tu furnizuar me miell.
Pavarësisht thirrjeve nga Shoqata e Mullisëve, Ministria e Financave dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të mos bëhet panik sepse ka mjaftueshëm miell, raftet e mbushura me pako mielli nëpër dyqane janë zbrazur.
Por, sa po arrin Kosova që t’i përmbush nevojat e qytetarëve me grurë?
Nga të dhënat që KALLXO.com ka siguruar nga Ministria e Bujqësisë, thuhet se Kosova me sasinë e prodhuar të grurit në vitin 2021, ka arritur të plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67%.
Sipas ministrisë, nevojat ushqyese me grurë në Kosovë janë rreth 200 kilogramë (kg) për kokë banori për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 400 mijë ton grurë.
“Bazuar në raportin e korrje shirjeve të vitit 2021, duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit prej 72,272.75 hektar, e cila është korrur gjatë atij viti dhe rendimentin mesatar prej 3,804 kg/ha, Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70 ton grurë”, thuhet në përgjigjen e MBPZhR-së për KALLXO.com.
Bazuar në të dhënat e MBPZhR-së, përqindja me e lartë e plotësimit të nevojave me grurë të qytetarëve ka qenë vitin 2016 kur janë plotësuar rreth 89.2% të nevojave apo janë prodhuar rreth 358 mijë ton grurë.
Ndërkaq viti 2019 karakterizohet me përqindjen më të ulët, rreth 56.5 %, kur prodhuan rreth 226 mijë ton grurë.
MBPZhR gjithashtu bën të ditur se në të gjithë territorin e Kosovës, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është rreth 420 mijë hektarë.
“Në gjithë territorin e Kosovës, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore është 420,210.00 hektarë. Po ashtu, duhet theksuar se interesimi i bujqve për të kultivuar tokën mund të rritet në vazhdimësi, duke pasur parasysh rritjen e përkrahjes financiare nga MBPZhR-ja dhe masave të ndërmarra kohëve të fundit për sektorin e bujqërisë”, ka thënë MBPZhR për KALLXO.com.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, Kosova nga Serbia ka importuar më së shumti drithëra në vitin 2021. Gjithsej janë importuar 125 milionë e 507 mijë kilogramë drithëra, në vlerë prej 28 milionë e 983 mijë euro.
Në anën tjetër, për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së vazhdueshme të çmimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë vendim që të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga 10 marsi 2022.