Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar me burgim me kusht të pandehurin M.U., i cili ka përdorur dokumentin e rrejshëm si të vërtetë, përkatësisht certifikatën e veteranit të luftës.
Sipas Gjykatës, M.U. më datë 7 mars të vitit 2018 ka shkuar në Zyrën e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe ka përdorë dokumentin e rrejshëm publik si të vërtetë, e të cilin paraprakisht e ka siguruar nga B.H. nga fshati Kopiliq – Skenderaj.
“Më datë 07.03.2018 në Mitrovicë, në Zyrën e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale – Departamenti i Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të luftës dhe Viktimave Civile, ka përdorë dokumentin e rrejshëm publik si të vërtetë, e të cilin paraprakisht e ka siguruar nga B.H. nga fshati Kopiliq, Certifikatën e veteranit të luftës me numër L4/7965 të datës 20.04.2016”, thuhet në aktigjykim, raporton kallxo.com
Tutje Gjykata bën të ditur se i dyshuari kishte me vete edhe vërtetimin e Zyrës për Çështjen e personave të dalë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në emrin e tij edhe pse i njëjti nuk gjendej në listën e veteranëve, e as që ka qenë pjesëmarrës i UÇK-së.
“Dokumentacionin e siguruar kështu me kërkesë për pensionin e veteranit numër … , e ka dorëzuar në zyren e cekur, pra ka përdorur dokumentin e rrejshëm publik si të vërtetë”, thuhet tutje në aktgjykim.
Gjykata ka shqiptuar ndaj M.U. dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale gjatë periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej dy viteve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Po ashtu, Gjykata njofton se të akuzuarit i konfiskohen Certifikata e Veteranit Luftëtar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Vërtetimi i Veteranit Luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lëshuar nga Zyra për Çështje të Kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.