Burim Maznikolli është dënuar me tetë vite burgim pasi e ka pranuar fajësinë dhe është shpallur fajtor se ka tentuar ta mbysë me sëpatë e thikë vëllain e tij, A.M.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Pejë nga gjyqtari Sami Sharraxhiu.
I akuzuari e ka pranuar fajësinë ne seancën fillestare të mbajtur më 13 dhjetor të këtij viti.
“I kërkoj falje të gjithë familjes, ndihem i penduar dhe nuk do ta përsëris më”, kishte deklaruar në seancë fillestare i akuzuari Maznikolli.
Pos dënimit me burgim i akuzuari u obligua të paguajë shpenzimeve procedurale e të gjitha në vlerë prej 200 euro.
Gjithashtu gjyqtari Sharraxhiu tha se mjetet e kryerjes së veprës penale do të konfiskohen dhe pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të prishen dhe eliminohen.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngarkon të akuzuarin Burim Maznikollli, se më 12 tetor 2022, në fshatin Kosuriq, Komuna e Pejës, me mjet të mprehtë- sëpatë dhe me thikë, ka tentuar ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, vëllain e tij, të dëmtuarin A.M.
Sipas akuzës, thuhet se në ditën kritike, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në mes të pandehurit me familjarët e tij, lidhur me disa të holla nga shitja e bagëtisë, ku i pandehuri pretendonte se i dëmtuari nuk ia kishte dhënë pjesën e tij, i pandehuri i drejtohet me fjalët “pse i ke shitë lopët dhe pse s’m’i ke dhënë paratë që më takojnë mua”, dhe në atë moment shkon në objektin përcjellës të shtëpisë, ku merr një sëpatë me të cilën fillimisht e dëmton veturën e të dëmtuarit, më pas tenton ta godas të dëmtuarin në kokë.
Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari për t’u mbrojtur e vendos dorën e majtë përpara kokës dhe nga goditja merr lëndime në parakrahun e dorës së majtë dhe në kokë, pas kësaj, përderisa i dëmtuari me ndihmën e familjarëve arrin që ta shtrijë në tokë të pandehurin, ky i fundit nga xhepi i tij nxjerrë një thikë duke e goditur të dëmtuarin 3 herë në këmbën e majtë dhe 2 herë në kofshë dhe një herë në gju, ku si pasojë e goditjeve të marra i dëmtuari pëson lëndime trupore.
Për çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë”, nga neni 173, par.1, pika 1.3 e lidhur me nenin 28 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi