Kroacia po shkon drejt një numri rekord të punëtorëve të huaj dhe numri i lejeve të qëndrimit dhe të punës të lëshuara për të huajt deri në fund të vitit 2022 mund të jetë më i lartë se njëqind mijë.
Mes të huajve shumë të interesuar për punësim dhe leje qëndrimi në Kroaci janë edhe kosovarët.
Sipas institucioneve kroate, në vitin 2022 deri më 19 maj janë dhënë 46.852 leje qëndrimi dhe pune. Numri më i madh i lejeve të qëndrimit dhe punës këtë vit u është dhënë qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës – 15,137, pasuar nga Serbia – 7,449, Nepali – 4,958, Maqedonia e Veriut – 3,691 dhe Kosova – 3,650.
Ndërsa numri më i madh i lejeve të qëndrimit dhe të punës në vitin 2021 u është dhënë qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës – 30,721, Serbisë – 13,579, qytetarëve të Kosovës – 7,913, Maqedonisë së Veriut – 5,926 dhe Nepalit – 4,724, shkruan mediumi boshnjak, Zenit.
“Në vitin 2022 deri më 19 maj janë dhënë 46.852 leje qëndrimi dhe pune, dhe nëse vazhdon ky trend pritet që deri në fund të vitit 2022 numri i lejeve të qëndrimit dhe të punës të kalojë 100.000”, pohojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kroacisë.
Në industrinë e ndërtimit këtë vit deri më 23 maj janë dhënë 20.219 leje, ndërsa në fushën e hotelierisë dhe turizmit 13.035.
“Në vitet e fundit numri më i madh i lejeve të qëndrimit dhe të punës janë lëshuar për këto dy aktivitete, si dhe në veprimtaritë e industrisë, transportit dhe komunikacionit, bujqësisë dhe peshkimit”, thekson Ministria e Brendshme e Kroacisë.
Vërehet një rritje e lëshimit të lejeve të qëndrimit dhe punës në këtë shtet. Kështu, në vitin 2019 janë dhënë 72.523 leje qëndrimi dhe pune, një vit më pas janë lëshuar 66.655 leje, ndërsa në vitin 2021 u lëshuan 81.995 leje.