Kosova nënshkruan marrëveshje me Danimarkën për t’ia dhënë hua 300 qeli në burgjet e Kosovës

Danimarka ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën për të marrë hua 300 qeli në burgjet e Kosovës, raporton “Tv2.dk”, përcjell Gazeta Sinjali.

Kështu ka bërë të ditur ministri danez i Drejtësisë, Nick Haekkerup, i cili tha se do të rriten edhe kapacitetet në burgjet e Danimarkës.

Danimarka është duke kërkuar vende për të burgosur njerëzit që i deportojnë. Shteti skandinav ka pyetur nëpër vende të botës kush ka vende të lira nëpër burgje, e Kosova ka thënë se ka.

Ideja, siç raportohet, është se burgjet që do të marrin në Kosovë, do të jenë me rregulla daneze të shtetit danez. Do të ketë me gjasë edhe policë danezë që do të kujdesen për të burgosurit.

“Në mesin e tjerave, ne jemi pajtuar se duhet bërë punë për të marrë me qira vende burgu në Kosovë për deportim të të dënuarve nga shtetet e treta. Dhe po zgjerojmë vendet në burgjet në Danimarkë si periudhë afatshkurtë ashtu edhe afatgjate”, tha Haekkerup.