Shtetin e Kosovës vazhdojnë ta godasin skandalet e vjedhjeve e tendereve nga institucionet qeveritare.
Vetëm gjatë muajit tetor, Qeveria “Hoti” është ballafaquar me skandale enorme, duke filluar me superskandalin ku nga Thesari i Shtetit u morën mbi 2 milionë euro dhe përmes kompanisë LDA-Group u shpërndanë në një rrjet të madh kompanish.
Pasi në mënyrë ilegale, 2 milionë e 77 mijë euro ishin transferuar më 9 tetor, nga Thesari Shtetit në llogarinë e kompanisë private “LDA Group” SH.P.K, pronë e Valon dhe Kadri Shalës, pas vjedhjes zyrtari Kryesor i Financave të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka njoftuar krerët e saj për rrjedhën e ngjarjes.
Vetëm nëntë ditë pas skandalit, ai i ka lutur zyrtarët e MI që t’i bllokojnë user-ët prej nga janë transferuar paratë, derisa i pari i Ministrisë dhe Sekretari i saj s’e kanë komentuar rastin.
Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 622 mijë euro; 375 mijë euro; 330 mijë euro; 750 mijë euro.
Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave.
Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.
Vetëm një ditë më pas, më 10 tetor, Zyrtari Kryesor i Financave, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.
Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të minsitrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.
I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Insfrastruturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transkasionet e mijëra eurove.
“1. Kompania: LDA Group SHPK – nuk është klient i MI-së; 2. Kërkesa për regjistrim në Furnitorit është bërë me datë 09/10/2020 nga Hasan Krasniqi – të cilin në MI nuk e njohim, dhe nuk është pjesë e jona: 3. Zotimet janë përdorur ato të më hershmet të cilët kanë qenë të regjistruar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK); 4. Urdhërblerja është nxjerr me datë 09/10/2020/ nga Useri AAlijaji – i cili User nuk është pjese e MI dhe nuk e njohim; 5. Pranimi i mallit është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri me emrin HASANK1 – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 6. Shpenzimi është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri BSelmani – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave të bërë më 10 tetor, vetëm një ditë pas avullimit të 2 milionë eurove.
Lidhur me tenderin 5 milionësh që e ka fituar kompania e tij për ndërtimin e spitalit në Prizren, Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e hetuar Ministrin e Ekonomsië dhe Ambientit, Blerim Kuçin.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili ka deklaruar se Kuçi po hetohet për konflikt interesi.
“Po, ka një kohë që Agjencia Kundër Korrupsionit është duke e hetuar Ministrin Blerim Kuçi, sa i përket tenderit 5 milionësh, për çështje të konfliktit të interest. Pasi të përfundojnë hetimet do të njoftohet edhe Prokuroria”, ka thënë Havolli.
Kuçi mbrëmë ka lëshuar debatin para kohe pas një diskutimi të nxehtë me panelistët rreth një tenderi 5 milionësh që është raportuar se e ka fituar kompania ku vetë Kuçi është pronar.
Në debat e sipër me analistin Imer Mushkolaj e gazetarin Vehbi Kajtazi, Kuçi ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë pozitën e tij prej ministri nëse Agjencia Kundër Korrupsionit gjen konflikt interesi.
“Duhet të më ftoni një herë tjetër për të biseduar për tema tjera. Sonte kam ardhur të flasë vetëm për çështjen e tenderit”, ka thënë ai.
Kuçi ka thënë se do ta shqyrtojë pozitën e tij në Qeverinë Hoti nëse vërtetohet gjendja e tij në konflikt interesi, për tenderin që kompania e tij e fitoi nga institucionet e shtetit, raportojnë mediat.
Pas raportimit të mediave për këshilltarin e jashtëm në Ministri të Drejtësisë Enis Qerka se ishte i arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni, me dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë, në dhjetor 2018, ministri i Drejtësisë Selim Selimi e kishte liruar nga detyra.
“Sot në mëngjes, pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, deklaroi ai.
Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj paraburgim, por ai ishte liruar nga paraburgimi pas një jave, me urdhrin për t’u paraqitur në stacion të Policisë.
Me gjithë skandalet e lartpërmendura, asnjë ministër nuk është dorëhequr, për ta marrë barrën institucionle, madje janë arsyetuar se janë duke luftuar “krimin dhe korrupsionin