Kosova eksporton rreth 90 milionë euro mallra në Shqipëri në periudhën janar-gusht, rritje vjetore prej gati 40 për qind

Eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë kanë kapur vlerën e 10.5 miliardë lekëve [89.8 milionë euro] në periudhën janar-gusht, duke u rritur me gati 40 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar. 

Kosova ka eksportuar 45 për qind më shumë mallra drejt Shqipërisë edhe në muajin gusht duke kapur vlerën 1.4 miliardë lekë [12 milionë euro], sipas të dhënave të institutit kombëtar të statistikave në Shqipëri INSTAT të përpunuara nga Telegrafi Shqipëri.

Në anën tjetër, Shqipëria ka shënuar gjithashtu një rritje të eksporteve me Kosovën në periudhën janar-gusht të këtij viti. Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 25 miliardë lekësh [214 milionë euro], krahasuar me 23.6 miliardë lekë [202 milionë euro] të së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Reklama

Ndërkohë në muajin gusht, Shqipëria ka një rënie të eksporteve me 9.2 për qind më Kosovën krahasuar me gushtin e një vit më parë.

Në muajin gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me gushtin 2021 janë: Italia (29.0 për qind), Spanja (411.2 për qind) dhe Gjermania (43.1 për qind). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, përveç Kosovës, janë edhe Maqedonia (5.9 për qind) dhe Kina (86.8 për qind).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 6 për qind janë edhe Italia (49.1 për qind) dhe Gjermania (75.0 për qind).

Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (17.7 për qind).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 39.85 për qind janë edhe Italia (10.8 për qind), Turqia (34.6 për qind) dhe Greqia (33.8 për qind). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (16.2 për qind), Rusia (18.1 për qind) dhe Zvicra (13.7 për qind). /Telegrafi/