Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliard eurove. Shuma ka qenë rekorde për Kosovën.
Sipas mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, këto dërgesa kanë ndikuar edhe në rritjen ekonomike në Kosovë, e cila, vitin e kaluar, ka qenë mbi 10 për qind.
Sipas mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, këto dërgesa kanë ndikuar edhe në rritjen ekonomike në Kosovë, e cila, vitin e kaluar, ka qenë mbi 10 për qind.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Sipas Lirim Krasniqit, nga organizata Germin, e cila merret me çështje të diasporës, remitencat kanë vazhduar të rrjedhin në nivele larta, për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të qytetarëve nga Kosova.
“Profili i lehtë i migrimit”, që është një dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe mbulon periudhën 2018-2020, vlerëson se nga Kosova kanë emigruar 71,799 banorë.
Sipas kësaj ministre, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, që i bie 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850,000.
Numri më i madh i tyre jeton në Gjermani dhe Zvicër dhe shuma më e madhe e remitencave në Kosovë, sipas BQK-së, dërgohet pikërisht nga këto dy vende.
Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se në afat të shkurtër, nuk pritet të ketë rënie të remitencave – ato mund të fillojnë të bien gradualisht, me kalimin e viteve.
Ku shpenzohen remitencat?
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, parasheh që niveli i remitencave të mos bjerë deri në dhjetë vjetët të ardhshëm, për shkak të valëve të emigrimit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se 70 për qind e remitencave që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare.
Sipas tij, do të ishte mirë që mjetet e diasporës të orientoheshin në formë të projekteve investuese.
“Remitencat janë një zë i lartë në kuptimin e të ardhurave dhe duhet të respektohen… Por, interesi i Qeverisë duhet të orientohet jo në kuptimin arbitrar të fondeve, por në inkurajimin e njerëzve që të investojnë në Kosovë”, thotë Ramosaj.
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, ka paraparë në planin e saj krijimin e disa instrumenteve, nëpërmjet të të cilave kapitali i diasporës do të mund të kanalizohej në investime, që gjenerojnë vende pune. Me planin e Qeverisë është paraparë që nga viti i parë i qeverisjes, të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani.
Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës ka thënë se investimet e huaja direkte në Kosovë përgjatë vitit të kaluar, janë rritur për më shumë se 21 për qind, krahasuar me vitin 2020.
Në përgjigje të kësaj, kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, kishte thënë atëbotë se investimet e huaja – kryesisht në sektorin e patundshmërisë – i atribuohen në masë të madhe diasporës së Kosovës, e cila, sipas tij, investon shuma të konsiderueshme parash në ndërtimin e shtëpive dhe në blerjen e apartamenteve.
Kosova me varësinë më të madhe në rajon
Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova ka varësinë më të madhe të remitencave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se, në vitin 2020, Kosova ka pranuar 1.2 miliard euro remitenca apo 18.5 për qind të Bruto Produktit Vendor; Shqipëria ka pranuar 1.27 miliard euro remitenca apo 9.8 për qind të Bruto Produktit Vendor; Bosnje e Hercegovina 1.63 miliard euro apo 9.3 për qind të Bruto Produktit Vendor; Mali i Zi 524 milionë euro apo 9.3 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe Serbia 3.37 miliardë euro apo 7.2 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Ditën Ndërkombëtare të Remitencave Familjare, e cila shënohet çdo 16 qershor. Kjo ditë nderon më shumë se 200 milionë punëtorë migrantë në botë, gra dhe burra, të cilët dërgojnë para në shtëpi për mbi 800 milionë anëtarë të familjes.