Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ku u diskutua për ndikimin e luftës në Ukrainë në zhvillimet në rajon dhe masat e përbashkëta, integrimet euroatlantike të rajonit – Bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Pas këtij takimi, dy kryetarët e Komisioneve përkatëse mbajtën një konferencë për media.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, tha se këtij takimi theks të veçantë i kanë dhënë ndikimit që ka lufta në Ukrainë në vendin tonë.
“Zotimi nga të dy komisionet ishte që të bëjmë punën së bashku. Në diskutim kishim brengosjen dhe veprimet konkrete. Shqipëria është anëtare e NATO-s, e Kosova ka KFOR-in. Ne duhet të jemi të kujdesshëm e të mbrohemi së bashku”, tha Abazi.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, kërkoi bashkërendim dhe bashkëpunim ndërmjet dy parlamenteve. Ndërsa foli edhe për marrëveshjet që janë nënshkruar nga të dyja shtetet. Për t’u vlerësuar tha është përkrahja që i kanë dhënë popullit ukrainas.
“Jemi duke folur për bashkëpunim dhe bashkërendim të gjithçkaje që ndodh ndërmjet dy parlamenteve tona. Ky është moment historik dhe vazhdojmë të jemi në anën e duhur. Folëm për marrëdhëniet midis dy palëve dhe 10 marrëveshjet që janë nënshkruar. Folëm për angazhimet për sigurinë e Kosovës. Rritja e kapaciteteve tona në fushën e sigurisë. Për t’u vlerësuar është përkrahja që i japim popullit ukrainas. Kosova ka përjetuar situata të ngjashme dhe Shqipëria ndodhet në anën e drejt të historisë. Do të vazhdojmë të lobojmë në krah të partnerëve tanë, si SHBA-ja dhe BE-ja”, tha ajo.
“Nuk është surprizë as për ne as për ju mos prezenca e Serbisë. Kështu që ne do të vazhdojmë punën tonë. Është shans i madh për Shqipërinë të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë që është anëtare e OKB-së. Ne besojmë që jemi duke bërë gjënë e duhur dhe në ndihmë të gjithë proceseve integruese sepse ka akoma për të bërë. Ne jemi me Kosovën dhe për Kosovën. Mendoj që ka pasur momente që mund të ketë pasur diskrepanca, ku momenti është pozitiv. Kosova ka pozicion për rrugën e saj të qartë euroatlantike”, tha tutje Kodheli. /EO