Kosova e ka në agjendë dhe po zhvillon punime për çështjen e blerjeve të dronëve të prodhimit turk, Bayraktar.
Kështu tha për agjencinë shtetërore të lajmeve turk Anadolu, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka.
Ai tha se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.
“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë [Vjosa Osmani] dhe ministri i Mbrojtjes [Armend Mehaj] i kanë vizituar dronët Bayraktar në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka.
Qëllimet për blerjen e dronëve Bayraktar, Damka i konfirmoi edhe për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, ai tha se nuk ka informacione shtesë lidhur me buxhetin që do të shpenzohet apo sa dronë të tillë dëshiron t’i blejë Kosova, pasi këto çështje nuk i përkasin dikasterit që ai drejton.
Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Turqi, më 26 shkurt të këtij viti kishte vizituar fabrikën e prodhimit të dronëve Bayraktar.
Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.
Dronë të tillë Turqia ka përdorur në ato që i quan “operacione kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë.
Bayraktarët kanë pasur ndikim shkatërrues edhe gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.
Mbështetja e Turqisë për FSK-në
Viteve të fundit, ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryesisht përmes donacioneve.
Vitin e kaluar, REL-i raportoi se FSK-ja merr rreth 100 milionë lira turke në vit si donacion, e të cilat i shfrytëzon për të kontraktuar blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia.
Kosova dhe Turqia po ashtu kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi. Këtu janë përfshirë automjete të tipit Vuran me tërheqje 4×4, ndërkaq dhjetë të tjera të së njëjtës kompani, por të tipit KIPRi, të pajisura me armatime.
Automjetet Vuran prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, BMC Otomotiv në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, Aselsan.
Ankaraja po ashtu i ka dhuruar FSK-së automjete të blinduara të tipit Cobra në formë donacioni.