Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së radhës miqësore kundër Ishujve Faroe, që zhvillohet të shtunën, në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo do të jetë miqësorja e dytë e këtij muaji, pas asaj kundër Armenisë, tri ditë më parë, e cila u mbyll baras 2:2. Njëherësh, kjo do të jetë ndeshja e fundit për këtë vit për Kombëtaren dardane. Në stërvitje kanë qenë të gjithë futbollistët me përjashtim të Mirlind Dakut, i cili është larguar për arsye shëndetësore, derisa Ilir Krasniqi ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër për shkak të një lëndimi. Paraprakisht në konferencë për media janë paraqitur përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse dhe futbollisti Arianit Ferati.
Trajneri francez ka thënë se edhe miqësorja kundër Ishujve Faroe do të jetë në shërbim të strategjisë për t’i dhënë hapësirë lojtarëve të rinj. “Pas ndeshjes me Armeninë, edhe kjo miqësore bën pjesë në strategjinë që t’i japim hapësirë lojtarëve të rinj dhe do të mundohemi që nesër të inkuadrojmë ata lojtarë që kanë pasur më pak hapësirë në ndeshjen e parë”, ka thënë Giresse.
Ai ka thënë se ekipi është i gatshëm dhe me vetëbesim për të dhënë më të mirën. “Luajmë gjithmonë për të fituar, por se a fitojmë a jo nuk mund të them tani, le të shohim nesër çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, ne gjithmonë përgatitemi për të fituar”, ka shtuar timonieri i Dardanëve.
Në pyetjen se cilët lojtarë të rinj mund të jenë në grumbullimin e ardhshëm, Giresse ka thënë se tani nuk mund të bëjë një bilanc, përderisa nuk janë zhvilluar dy ndeshjet miqësore.
“Presim që të zhvillohet edhe ndeshja e nesërme dhe pastaj do të bëjmë një bilanc për lojtarët dhe cilët prej tyre mund të jenë pjesë e Kombëtares në të ardhmen”, ka nënvizuar Giresse.
Ndërkaq, futbollisti Arianit Ferati u shpreh krenar që iu ka dhënë mundësia të jetë pjesë e Dardanëve.
“Jam krenar që jam bërë pjesë e Kombëtares së vendit tim. Stafi dhe ekipi më kanë pritur shumë mirë. Shpresoj se edhe nesër do të bëjmë një lojë të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv. Kur më kanë kontaktuar për herë të parë ka qenë një ditë e veçantë për mua, ashtu sikurse edhe kur e kam bërë debutimin. Të rrënqethet trupi kur e ke mundësinë të luash për Kosovën”, ka theksuar Ferati.