Mbi 300 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 Kosova i ka siguruar përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe asociacionit GAVI.
Sipas zyrtarëve të OBSH-së, Kosovës i është garantuar se në momentin që një vaksinë del në përdorim, Kosova do të ketë vaksina falas për 20 % të popullsisë, raporton KOHA.
Drejtoresha e zyrës së OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli shton se deri në janar të vitit të ardhshëm pritet që një vaksinë të jetë në përdorim.
E ndonëse ende OBSH-ja nuk ka vënë kritere se cilat grupe duhet të vaksinohen, të moshuarit, ata me sëmundje kronike, dhe shtatzënat janë grupet të cilat do të kenë prioritet në këtë rast.
Në anën tjetër, planet e Ministrisë së Shëndetësisë janë për vaksinimin e rreth 70% të popullsisë. Ky institucion përmes një përgjigje ka thënë se ka parashtruar kërkesë edhe për sigurimin e mbi 1 milion e 200 mijë vaksinave kundër COVID-19, të cilat do të paguhen përmes buxhetit të Kosovës.
“MSH, me qëllim të futjes në radhë për të siguruar vaksina kundër COVID-19, kur ato të jenë zhvilluar, aprovuar për përdorim dhe dalë në treg, ka zhvilluar bisedime me OBSH-në, UNICEF-in, shtete të BE-së dhe partnerë të tjerë që kontribuojnë në shëndetësinë e Kosovës. E para, keni parasysh nuk ka vaksina të aprovuara për përdorim nga COVID-19 nga OBSH-ja apo ndonjë organizatë relevante ndërkombëtare. Megjithatë, përmes OBSH-së (GAVI-Covax) Kosovës i janë premtuar mbi 300 mijë vaksina falas kundër COVID-19, derisa pjesën tjetër do ta paguajë. Synimi është që të vaksinohen rreth 70% e popullsisë, brenda të cilës përqindje mbulohen të gjitha grupet apo kategoritë e rrezikuara. 20% është sasi që pritet t’i jepet falas Kosovës, pjesën tjetër e mbulon financiarisht Kosova. Synimi është që të sigurohen mbi 1. 200. 000 vaksina sa llogaritet se është e mjaftueshme për t’i mbuluar grupet e rrezikuara”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
172 shtete të ndryshme deri më tani janë të përfshira në diskutimet për pjesëmarrje potenciale në COVAX, që është një iniciativë globale që synon bashkëpunimin me zhvilluesit e vaksinave për të siguruar qasje mbarëbotërore në vaksinat e sigurta dhe efikase, kurdo që ato licencohen dhe miratohen.
COVAX aktualisht ka në portofolin e saj numrin më të madh dhe më të ndryshëm të vaksinave potenciale ndaj COVID-19 – përfshirë nëntë vaksinat kandidate dhe nëntë të tjerat që janë në zhvillim, teksa është duke zhvilluar bisedime edhe me zhvillues të tjerë të mëdhenj.