Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka udhëtuar për në Turqi me ftesë të ministrit turk të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Vahit Kirisci.
Me këtë rast Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se homologët zhvilluan takim bilateral, tejet përmbajtjesor, rreth çështjeve që prekin dy shtetet, si në sektorin e bujqësisë, ashtu edhe atë të pylltarisë.
Ministri i BPZHR-së, Faton Peci, pasi e falënderoi për mikpritjen Kiriscin, e njoftoi atë rreth zhvillimeve në sektorin e bujqësisë në Kosovë dhe hapat e ndërmarrë në avancimin e mëtejmë të bujqësisë.
Bazuar në marrëveshjet bilaterale për bujqësi, zhvillim rural dhe pylltari mes dy institucioneve tona, u dakorduam që edhe më tutje të thellojmë bashkëpunimin, duke ndarë përvojat dhe ekspertizat me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në të gjitha fushat që përfshijnë fushat që mbulojmë si bartës të politikave brenda institucioneve tona. Turqia vazhdon të mbetet vend mik i Kosovës, të dy shtetet kultivojnë këtë miqësi, ndërsa edhe ne si homologë u dakorduam se avancimi i marrëdhënieve tona ndërinstitucionale do t’i kontribuojë kësaj miqësie”, u shpreh pas këtij takimi ministri Peci.
Gjithashtu, ministri Peci e ftoi homologun e tij, Vahit Kirisci që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Republikën e Kosovës dhe të njihet më nga afër me potencialin zhvillimor e investiv që Kosova ofron.