Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka folur edhe për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moskandidimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe a mund të bëhet Kurti kryeministër.
I pyetur në Kanal 10 se a ekziston mundësia që Albin Kurti të bëhet kyreministër meqë nuk i lejohet kandidimi për deputet, Kosnett ka thënë se njerëzit në Kosovë duhet të veprojnë ashtu siç thonë institucionet e drejtësisë.
“Nuk jam avokat, nuk jam gjyqtar kosovar. Pra, mendimi im për këtë nuk është përcaktues. Mendoj se është e nevojshme që njerëzit të veprojnë përmes institucioneve ligjore e gjyqësore në Kosovë”, tha ai.
Ai ka thënë se të gjithë kandidatët që nuk janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje mund të ankohen dhe se është shumë e rëndësishme që të respektohen vendimet e sistemit të drejtësisë.
“Ambasada, qeveria ime shpesh ka marrë qëndrimin që është e domosdoshme, është e rëndësishme të respektohet sistemi gjyqësor, të respektohen gjykatat. Të mos thuhet: na pëlqen ky vendim, nuk na pëlqen ky vendim. Pra, në këtë fushë ekziston procesi i ankesës, ka proces ligjor”, ka thënë ai.
“Më lejoni të shtoj edhe diçka: ka njerëz që do të thonë – e nuk po flas vetëm për Komisionin Qendror Zgjedhor apo këto zgjedhje – ata do të thonë: ky apo ai institucion po vepron nën presion politik, njerëzit po kryejnë krime, nuk mund t’ju besosh. Nuk jam naiv. Nuk po them që ato gjëra nuk ndodhin, por do të kërkoja që qytetarët e Kosovës, të cilët kanë informata të vërteta dhe faktike për sjelljen kriminale ose ndikimin e pahijshëm politik mbi institucionet, të flasin. Nëse nuk janë të gatshëm që t’i raportojnë këto në publik, sinqerisht nëse nuk i besojnë policisë apo qeverisë për t’i marrë informatat e tyre seriozisht, mund ta bëjnë këtë te mediat”, tha ai.