Policia e Kosovës ka arrestuar një serb, shtetas i Serbisë me dyshimin e bazuar se është i përfshirë në rastin e 136 kilogramëve të mariuhanës e cila ishte gjetur në fshatin Açarevë të Skenderajt, me 5 qershor të vitit 2017.
Ky është personi i dytë i arrestuar për këtë rast, pasi atë kohë ishte arrestuar: A.G. 30-vjeç, mashkull/kosovar/shqiptar.
Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë thënë se arrestimi i serbit ka ndodhur dje në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë.
Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)- Mitrovicë e Jugut, me datën 5 qershor 2017 rreth orës 18:30, përmes rrugëve operativo-hetimore, kishte siguruar të dhëna se në fshatin Açarevë të Skenderajt, në oborr të dy shtëpive të pabanuara ndodhen dy vetura me targa hungareze, të cilat dyshohej se po përdoreshin për transport të narkotikëve.
Policia nga vendi i ngjarjes kishte njoftuar prokurorinë kompetente dhe ka kërkuar leje për kontroll të këtyre veturave. Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar veturat dhe shtëpitë e pabanuara.
Në njërën veturë, në mbrojtësin e pasmë të veturës janë gjetur 17 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në afërsi të veturës janë gjetur edhe 17 paketime tjera. Me prezencën e dy dëshmitarëve janë kontrolluar edhe shtëpitë e pabanuara, ku është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike, e po ashtu janë gjetur edhe disa dëshmi të cilat janë sekuestruar.
Gjatë kontrollit të veturës së dytë, në tri pjesë të ndryshme të veturës të cilat ishin të modifikuara për fshehjen e substancave narkotike janë gjetur edhe 34 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një revole me një karikator pa fishekë.