Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se sot ka arrestuar Salih Mustafën në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të specializuara të Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur.
“Sipas Ligjit për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë Policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e specializuara”, thuhet në njoftim.