Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Klinë së bashku me Grupin e saj Kuvendar është kundër vendimit që komuna e Klinës ka ndarë buxhet me vlerë 3 mijë euro për gratë e administratës, me rastin e 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Ky është reagimi i publikuar në faqen zyrtare FB:
8 Marsi përkujton lëvizjen për të drejtat e grave. Kjo ditë shërben për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi.
Ne kërkojmë dhe bëjmë thirrje komunës që të rishikohet ky vendim. Sepse ky vendim përveç që është keqpërdorim i taksave të qytetarëve është diskriminues edhe ndaj grave tjera të komunës, pikërisht në ditën e gruas, kur dihet se pjesa dërmuese e grave të kësaj komune janë të papuna. Jemi kundër kësaj logjike të këtij pushteti, që kush nuk është në pozitë nuk meriton asgjë.
Këshilltarët tanë komunal tërhiqen nga shfrytëzimi i këtij pushimi.
Ne gjithashtu kërkojmë që kjo vlerë monetare të destinohet për vajzat dhe gratë e prekura me sëmundje kancerogjene.