KF Dukagjini është një nga tri klubet që siguroi kalimin në Superligë nga Liga e Parë në sezonin e fundit,
Dukagjini rikthimin në elitën e futbollit kosovar e arriti përmes ndeshjeve të barazhit, duke mposhtur fillimisht Flamurtarin, e pastaj edhe Trepçën ’89.
Për rikthim në Superligën e Kosovës, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ua kishte premtuar një premi prej 60 mijë eurove futbollistëve të klubit nga ky qytet.
Këtë premtim ai e kishte bërë pas një vizite në stadiumin “18 Qershori”, në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Trepçës ’89.
Por, edhe pse kanë kaluar saktësisht dy muaj nga ajo ditë, ky premtim nuk është realizuar ende.
Gazeta nga burime mirë të informuara merr vesh se KF Dukagjini ende nuk ka marrë 60 mijë eurot e premtuara.
Mbetet të shihet në ditët në vazhdim, nëse ky premtim nga i pari i Klinës do të plotësohet.
Sidoqoftë, KF Dukagjini duket se është një klub mirë i organizuar, pasi që në radhët e veta deri më tani ka transferuar futbollistë si Ahmed Januzi, Ergyn Ahmeti, Jean Carrioca e të tjerë. /