Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë në krye me Naser Morinën, në bashkëpunim me organizatën “Islamic Relief” kanë filluar implementimin e projektit për hapjen e puseve për furnizim me ujë për fermerë.
Fillimin e punimeve për këtë projekt e kanë përcjellur nga afër kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Naser Morina.
Më këtë rast, Kryetari Elezaj dhe drejtori Morina kanë falënderuar organizatën “Islamic Relief” për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për fermerët të cilët kanë pasur nevojë jetike sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë.
Elezaj theksoi se Komuna e Klinës ka realizuar disa projekte të rëndësishme për fermerët gjatë këtyre viteve, si në sigurimin e kushteve më të përshtatshme për fermerët ashtu edhe në dhënien subvencioneve, dhe shtoi se do të vazhdojnë të realizojnë projekte të tjera në mënyrë që të stimulojnë zhvillimin e bujqësisë.
Ky projekt ka një vlerë buxhetore prej 42 000 euro, ndërsa do të përfitojnë mbi 30 fermerë të Komunës së Klinës.