Komuna e Klinës ka dalë me aqarim lidhur me çështjen e ndërtimit të fabrikës së cementit, pas protestës së sotme nga qytetarët.
Ky është sqarimi:
Të nderuar qytetarë,
Komuna e Klinës në vazhdimësi ka përcjellë me vëmendje reagimet në lidhje me ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës.
Për hirë të transparencës, llogaridhënies dhe korrektësisë që kemi treguar dhe vazhdojmë të tregojmë ndaj mediave dhe në veçanti ndaj qytetarëve, sqarojmë prapë se lejes ndërtimore për ndërtimin e fabrikës së cementit i kanë paraprirë një varg dokumentesh të lëshuara nga institucione të tjera.
Sikurse miratimi edhe refuzimi i lejes ndërtimore kërkon mbështetje në rregullativën ligjore. Pas lejeve të siguruara nga kompania në fjalë në ministritë e linjës dhe institucionet tjera përgjegjëse, komuna nuk ka pasur bazë ligjore për refuzim të lejes.
Për hirë të llogaridhënies ndaj qytetarëve, dëshirojmë të sqarojmë se pas pezullimit të pëlqimit mjedisor nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, menjëherë ka bërë pezullimin e lejes ndërtimore.
I njoftojmë qytetarët se nga dita e marrjes së vendimit për pezullim të lejes ndërtimore e deri më sot inspektorati komunal nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet që ndërlidhet me ndërtimin e fabrikës së çimentos, sepse tanimë leja e ndërtimit është e pezulluar.
Si institucion lokal jemi të obliguar ligjërisht që çdo veprim të ministrive të linjës të zbatohet me vendime nga niveli lokal konforom rregullatives ligjore.