KOMUNA E KLINËS FILLON RREGULLIMIN E VARREZAVE TË DËSHMORËVE, VETERANËVE DHE VARREZAVE PUBLIKE

Komuna e Klinës ka filluar punimet për rregullimin e varrezave të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, ndërsa do të vazhdojë edhe rregullimi i varrezave publike, njofton komuna përmes uebfaqës zyrtare.

Punimet i ka përcjellur sot kryetari i komunës, Zenun Elezaj, i cili ka theksuar se falë sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe atyre që sakrifikuan jetën, ne sot e gëzojmë lirinë, prandaj dëshmorët dhe familjarët e tyre meritojnë të trajtohen me respekt dhe dinjitet nga institucionet dhe për këtë përkujdesja nga Komuna e Klinës nuk do të mungojë.

Njoftimi i plotë i Komunës së Klinës:

“Në kompleksin memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë ka filluar projekti për rregullimin e varrezave të dëshmorëve të kombit dhe veteranëve, financim ky i Komunës së Klinës, respektivisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjente.
Punimet për së afërmi sot i kanë përcjellur kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Administratës, z. Binak Sylaj dhe ai i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, z. Iber Elezaj.
Kryetari Elezaj ka theksuar se falë sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe atyre që sakrifikuan jetën, ne sot e gëzojmë lirinë, prandaj dëshmorët dhe familjarët e tyre meritojnë të trajtohen me respekt dhe dinjitet nga institucionet dhe për këtë përkujdesja nga Komuna e Klinës nuk do të mungojë.
Projekti do të vazhdojë edhe me rregullimin e varrezave të tjera publike, ndërsa vlera buxhetore e këtij projekti është 23 937 euro, kurse afati për përfundimin e punimeve është 60 ditë pune.”