Komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka filluar sot aktivitetet për shënimin e kësaj ngjarje me hapjen e ekspozitës personale të piktorit z. Sejdi Kapllanaj, në hollin e galerisë së artit në qendrën e kulturës “Jehona e Dukagjinit”.
Të pranishëm ishin drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, profesor Sejdi Kapllanaj, artistë e piktorë të Klinës, artdashës si dhe qytetarë e media.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Gashi me një fjalë rasti falënderoi për pjesëmarrje gjithë të pranishmit si dhe njëherësh ju uroi 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ndër të tjera shtoi se profesor Sejdi Kpllanaj ka një biografi të pasur dhe në aspektin profesional, por ai gjithashtu njihet edhe si njeriu human e shpirt artisti e që Klinës i dha shumë në art, kulturë dhe në përgjithësi.
Në shenjë falënderimi për gjithë kontributin dhe angazhimin e tij në aktivitete të shumta kulturore institucionale, drejtoresha Gashi i ndau një mirënjohje.
Pas ekspozitës, Drejtoria për Kulturë, vazhdoi me programin artistik me fëmijë, balet dhe valle popullore me koreografi nga Tringa Shala.
Ndërsa nesër programi vazhdon me orën letrare të pavarësisë, ku do të promovohen librat “Vargut i flas” dhe “Dritë në mes të errësirës” të autores Antigona Desku, me fillim nga ora 13:30, në sallën e Kuvendit Komunal, duke vazhduar më pas me garën në lojen e shahut – KLUBI I SHAHUT “MEHMET KRYEZIU”, program artistik – këngë e valle popullore, recital nga Ismet Krasniqi – Lala, finalja e turneut institucional etj.