Komuna e Klinës dhe Qeveria Zvicerane fillojnë ndërtimin e ujësjellësit për 11 fshatra të Klinës, projekt afër 1.5 milion euro
Në Komunën e Klinës kanë filluar punimet për ndërtimin e ujësjellësit për njëmbëdhjetë fshatra, projekt ky me një vlerë prej 1 484 993 euro dhe i financuar nga Qeveria Zvicerane, e cila ka mandatur organizatën CDI për implementimin e këtij projekti, pas kërkesës nga komuna.
Sot, Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga nënkryetari, z. Besim Hoti, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, z. Iber Elezaj, Astrit Vokshi, përfaqësues i CDI-së në Kosovë, kanë marrë pjesë në përurimin e punimeve për realizimin e këtij projekti.
Kryetari Elezaj, më këtë rast, theksoi se zgjidhja e problemit për furnizim me ujë ka qenë dhe mbetet prioritet i tij dhe shtoi se ky është një nga projektet më të nevojshme dhe më të mëdha të realizuara në Komunën e Klinës, në kuadër të cilit do të bëhet edhe rehabilitimi i rrjeteve ekzistuese në disa fshatra, kurse në fshatra tjera do të ndërtohet rrjeti i ri, ndërsa furnizimi me ujë do të bëhet nga Pusi i Jarinës.
Elezaj ka shprehur falënderim ndaj CDI-së për financimin e projektit dhe ka uruar qytetarët për fillimin e punimeve, duke theksuar se pas përfundimit të projektit do të zgjidhet problemi me furnizim me ujë për 11 fshatrat lindore të Komunës së Klinës.
Ai shtoi se Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit janë duke vazhduar projektin për rritjen e kapacitetit të ujit në fabrikën e ujit në Klinë, që do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me ujë në qytet.
Astrit Vokshi, përfaqësues i CDI-së në Kosovë, theksoi se projekti pritet të përfundojë në një afat një vjeçar, në shtator ose tetor të vitit 2021.
Në këtë projekt janë të përfshirë 11 fshatra, me rreth 10 000 banorë dhe afër 80 km rrjet të ujësjellësit, 2 stacione pompimi, një rezervuar me vëllim prej 1000 metra kub si dhe tre rezervuar me vëllim prej 100 metra kub, si dhe pjesa elektrike të pompave si dhe pompat.
Fshatrat në të cilat do të ndërtohet apo rehabilitohet rrjeti i ujësjellësit janë: Caravik, Çabiq, Zabergjë, Ujmirë, Doberdol, Rixhevë, Stapanicë, Gllarevë, Përqevë, Gjurgjevik i Madh dhe Stupë.