Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Kluturës, z. Skender Merturin, sot kanë pritur në takim z. Daniel Cruz, drejtor i projektit Up to Youth me të cilin kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e këtij projekti në Komunën e Klinës.
Projekti Up To Youth është aktivitet pesëvjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe ka për qëllim mobilizimin e rinisë për të qenë forcë e ndryshimeve pozitive, zhvillimin dhe demonstrimin e shkathtësive të buta/jetësore për rininë, si dhe krijimin dhe mbështetjen e partnerëve të qëndrueshëm për kultivimin e një mjedisi ku rinia mund të përfshihen në mënyrë pozitive dhe të dobishme.
Përmes kësaj marrëveshjeje palët u pajtuan që të bashkëpunojnë në mobilizimin dhe përfshirjen e rinisë drejt ndryshimeve pozitive në komunën e Klinës.
Kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, falenderoi z. Cruz për bashkëpunimin e lartë me Komunën e Klinës drejt realizimit të këtij projekti dhe ofroi mbështetjen e tij të parezervë me qëllim që aktivitetet rinore të ndikojnë në fuqizimin e të rinjve ne komunitet.