Në qytetin e Deçanit sot në bilborde janë vendosur fytyrat e kryetarit të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati e nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.
Në fotografinë e Hysni Gucatit është vendosur fjalia e thënë nga ai që “Liria është themel i paqes dhe demokracisë”, derisa tek Nasim Haradinaj shkruhet “UÇK është historia jonë”.
Gucati e Haradinaj tashmë kanë pasur paraqitjet e para para Gjykatës Speciale.
Në shenjë nderimi qytetarët e kësaj komune, kanë vendosur në qytet figurat e krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 25 shtator hetuesit e Speciales bastisën zyrat OVL e UÇK-së për të arrestuar më pas kreun e saj, Hysni Gucati e vetëm pak orë më pas edhe nënkryetarin, Nasim Haradinaj.
Gucati e Haradinaj akuzohen nga Gjykata Speciale për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në paraqitjen e tij të parë më 29 shtator para Gjykatës Speciale, Nasim Haradinaj është shprehur se nuk e njeh këtë gjykatë derisa ka fajësuar sërish deputetët e Kuvendit të Kosovës për votimin e saj në 2015.
“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh”, ka thënë nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka shtuar Gjykatës Speciale “i ka skaduar mandati më 2 gusht”.
Lidhur me paraburgimin e tij, gjyqtari ka thënë se pret që prokuroria të dorëzojë aktakuzën sa më shpejt të jetë e mundur.
Avokati mbrojtës i Nasim Haradinaj ka kërkuar nga Gjykata Speciale që klienti i tij të lirohet menjëherë.
E Gucati prezantimin e parë para Speciales e bëri me 1 tetor. Edhe avokati mbrojtës i Gucatit, Jonathan Rees , ka kërkuar lirim me kusht dhe ka thënë se është parashtruar kjo kërkesë me shkrim. Aktakuza ndaj kreut të OVL-UÇK pritet të bëhët brenda 30 ditëve.