KOMPANIVE TË NAFTËS U JEPET 1 MUAJ AFAT TË SQAROHEN PËR ÇMIMET, MUND TË DËNOHEN

14 kompani, në mesin tyre Hib Petrol, Al-petrol, Ex Fis, Lab Oil e Petrol Company, dyshohet se kishin kurdisur çmimin e naftës në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, derisa në nëntor të vitit të kaluar fitimit i këtyre kompanive ishte rritur për 60% , në dhjetor, fitimi ishte rritur për 124%, raporton KTV.

50 centë dyshohet se fituan në një litër naftë këto kompani, e cila në bursë, atëkohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.

Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka paralajmëruar se nëse brenda 1 muaji kompanitë e naftës nuk arrijnë të dëshmojnë se nuk i kanë kurdisur çmimet, atëherë do të gjobiten me 10 për qind të qarkullimit vjetor të të hyrave të tyre.

Por, të gjitha këto pretendime i ka hedhur poshtë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve.

Fadil Berjani thotë se është i sigurt se autoriteti i Konkurrencës ka bërë gabim teknik gjatë këtij kalkulimi, derisa thotë se, përveç Maqedonisë, Kosova ka çmimin më të ulët të naftës në treg.

Por, Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila edhe vitin e kaluar kishte alarmuar për ngritjen e çmimit të naftës, thotë se ka fakte të mjaftueshme për këtë kurdisje të çmimit.

Të indinjuar me këtë shprehen qytetarët e Kosovës.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me disa prej kompanive të cilat Autoriteti i Konkurrencës është duke i hetuar për kurdisje të çmimit të naftës dhe emrat e të cilëve i ka bërë vetë publikë, por vetëm njëra prej tyre ka kthyer përgjigje.

Petrol Company, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se pretendimet e Autoritet të Konkurrencës janë të pabazuara pasi që, sipas kësaj kompanie, edhe para muajit nëntor dhe dhjetor të 2018-s, ka pasur ngritje të çmimit të naftës në berzë, andaj, sipas Petrol Company, nuk ka pasur mundësi të ketë ngritje të këtij çmimi.

Kjo kompani i ka dërguar gjithashtu KTV-së një tabelë me çmimet mesatare të shitjes së naftës dhe benzinës gjatë vitit të kaluar.

Në këtë tabelë shihet se gjatë nëntorit të kaluar, 1 litër naftë, kjo kompani e kishte shitur për 1.18 cent, derisa në dhjetor për 1.14 cent.