Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga Naim Ismajli i PDK-së, i ka dhënë 44 tenderë vetëm një kompanie gjatë periudhës 2016-2019. Vlera e këtyre kontratave ishte 2 milionë e 667 mijë euro.
Kompania që ka fituar 44 kontrata për 4 vjet është ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit nga Shtimja. Dashnim Jashari është djali i vëllait të Ruzhdi Jasharin, ish- kryetarin e Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, ndërsa në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës.
Kompania ‘Ardhmëria’ vetëm për periudhën qershor- dhjetor 2019, pra për shtatë muaj ka fituar 16 tenderë nga komuna e Shtimes.
Kontratat e fituara kanë qenë për mirëmbajtje dhe asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimeve, riparim të urave, rregullim të rrugëve bujqësore e rregullim të terreneve sportive.
Që nga muaji korrik e deri në dhjetor të vitit 2019, kjo kompani ka fituar 16 tenderë, vlera e të cilave ishte 573 mijë e 661 euro.
KALLXO.com ka tentuar të flas me pronarin e kompanisë ‘Ardhmëria’, Dashnim Jasharin, por në numrin e biznesit që figuron në ARBK, por është lajmëruar babai i tij, Sadri Jashari. Ai ka folur në emër të kompanisë ‘Ardhmëria’. Ka thënë se tenderët i fiton kompania që ofron çmimin më të lirë të përgjegjshëm.
“Tenderët i fiton vetëm ai që është më i miri. Kanë marrë tendera edhe nga Gjilani, Ferizaji apo Suhareka. Janë të gjitha dokumentet. Si të i plotësosh kushtet normal që i fiton edhe e merr tenderin”, ka thënë Sadri Jashari.
Ai thotë se nuk kanë lidhje me politikën.
“Nuk kemi asnjë lidhje mes vete, ne jemi me dokumente në rregull”, tha babai i pronarit të kompanisë “Ardhmëria”.
Por, Sadri Jashari, babai i pronarit të kompanisë “Ardhmëria” është vëllai i Ruzhdi Jasharin, ish- Kryetarin e Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së. Ruzhdi Jasharin në zgjedhjet e fundit ka kandiduar për të parin e kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ruzhdi Jashari, xhaxhai i pronarit të kompanisë “Ardhmëria”, tha se edhe kur ishte në PDK nuk kishte ndihmuar nipin që të fitonte tenderë në Komunën e Shtimes.
“Absolutisht asnjë lidhje nuk e kam, është firmë e vëllait tim, kjo firmë nuk është e ditëve të sotme është që 18 vite. Nëse ka diçka të kundërligjshme unë jam kritiku numër një. Lufta jem është luftë pa kompromis kundër dukurive negative e të kundërligjshme, nëse ka të kundërligjshme diçka, nëse ka dallavere dhe të liga diçka edhe nëse është i familjes, jam gati që gjithsecilën çështje ta ngrisë dhe trajtoj. Asnjëherë nuk ka ndikuar as kur kam qenë në PDK”, tha ai.
Ai madje shtoi se çështja e tenderëve të nipit të tij është ngritur në Kuvendin Komunal të Shtimes.
“Është ngritur kjo çështje disa herë në Kuvendin Komunal, duhet të jenë projekte të specifikuar, të qarta, që kanë specifikim të qartë, adresë, gjatësi gjerësi të gjatë. I pari i komunës është abuzuesi më i madh i të këqijave të komunës. Nëse ka efekte negative qoftë Dashnim Jashari apo kushdo tjetër jam kundër atyre dukurive negative”, tha tutje Jashari.
Në lidhje me këto tenderë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Komunës së Shtimës.
Në disa përgjigje të Komunës së Shtimes thuhet se Kompania “Ardhmëria” ka plotësuar kriteret që janë dhënë sipas procedurave tenderuese.
“Komisioni i vlerësimit i cili themelohet nga autoriteti kontraktues është i obliguar me LPP që të bëjë vlerësimin sipas kushteve të vendosur, në njoftimin për kontratë dhe në dosje të tenderit. Kriter për dhënie të kontratës ka qenë gjithmonë çmimi më i lirë dhe i përgjegjshëm me dokumentacion. Mbi bazën e këtyre kritereve është vlerësuar edhe kompania NTP ‘Ardhmëria’ në Shtime”, thuhet në përgjigjet e komunës.
Ata madje thanë se çështja e 16 tenderëve të fituar nga ana e Kompanisë “Ardhmëria” nuk është ngritur si çështje në Kuvendin Komunal.
Tutje në përgjigje thuhet se deri më tani Komuna e Shtimes nuk ka marrë ndonjë kritikë rreth punimeve në teren nga ana e kompanisë “Ardhmëria”.
“Një procedurë e prokurimit përfundon me nënshkrimin e kontratës në mes autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik, pas nënshkrimit të kontratës, caktohet menaxheri i kontratës i cili e përcjellë punën në teren”, thuhet në përgjigjet e komunës.
Cilat janë tenderët e fituar nga kompania “Ardhmëria”
“Ardhmëria” ka marrë tenderë nga Komuna e Shtimës edhe në vitet paraprake. Në vitin 2016, kompania kishte fituar 7 kontrata në vlerë 213 mijë euro vetëm prej Komunës së Shtimes. Nga gjithsej shtatë tenderë në po atë vit, ai me çmimin më të lartë ishte tenderi për ndërtimin e trotuareve, ndriçimit publik, gjelbërimit dhe shtegut për çiklizëm seksioni –1, 2 dhe 3, ndërsa vlera e tij ishte 86 mijë e 485 euro.
Në vitin 2017 kjo kompani kishte fituar 14 tenderë në vlerë të 918 mijë e 137 eurove. Tenderi me çmimin më të lartë nga gjithsej dhjetë tenderë ishte ai për zgjerimin dhe pastrimin e lumit Carralevë, Shtime dhe Mollopolc Petrovë – Shtime Vojnovc ( Faza e dytë) projekt me bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kushtoi 317 mijë e 925 euro.
Gjatë vitit 2018, kjo kompani ka fituar shtatë tenderë, vlera e së cilëve është 1 milion e 46 mijë e 35 eurove. Kontrata me vlerën më të larta ishte për rregullimin dhe infrastrukturën e Komunës së Shtimes e cila ka kushtuar 377 mijë e 212 euro. Si dhe asfaltimi i rrugëve dhe kanalizimeve në fshatrat Belinc, Çestë e Reçakut dhe rruga Ëiliam Ëalker i cili ka kushtuar 152 mijë e 277 euro, rregullim të terreneve sportive në fshatrat Vojnoc, Gjurkoc, Lagjen e Pajtimit dhe rregullimi i rrethojave metalike tender ky që kishte kushtuar 135 mijë e 377 eurove.
Ndër vitet më të suksesshme për Ardhmërinë ishte viti 2019, duke fituar 16 tenderë vetëm për 7 muaj, përkatësisht gjatë periudhës qershor- dhjetor.
Kontrata e nënshkruar me 21 qershor për rregullim të rrugëve bujqësore me zhavorr dhe kanaleve kulluese të ujërave atmosferik ishte me vlerën më të madhe, apo 119 mijë e 907 euro. Për të njëjtin projekt, në tetor 2019 ishte nënshkruar edhe një kontratë për punë shtesë në vlerë prej 10 mijë e 20 euro.
Një tender tjetër i fituar nga kompania e Dashnim Jasharit, është për zgjerimin e urës ekzistuese dhe rregullimin e dy urave të reja në fshatin Pjetërshticë si dhe rregullimi i urës në rrugën “Ahmet Shtimja” në Shtime. Ky tender ka kushtuar 68 mijë e 939 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar më 26 korrik të vitit 2019.