Ndërtimin e një fabrike për nxjerrjen e gurit gëlqeror, e kishin ndaluar gjatë vitit 2012 me anë të një peticioni banorë të disa fshatrave të Klinës.
njëjti projekt, por me një kompani tjetër, është duke u planifikuar të ndërtohet në bjeshkët e fshatit Gremnik, e që në zonën kadastrale është pronë e fshatit Dresnik të kësaj komune, raporton KTV.
Fillimisht, në maj të 2019-s, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale i kishte lëshuar kompanisë “Ramstone” licencë hulumtimi, e një pëlqim për të aplikuar për leje, ia ka lëshuar edhe Komuna e Klinës në korrik.
Por, KPMM-ja ka konfirmuar për KTV-në se kompania në fjalë, megjithatë, ende nuk ka aplikuar për shfrytëzim.
Në përgjigjen e këtij institucioni, gjithashtu sqarohet se gjithçka varet nga Ministria e Mjedisit, si institucioni i fundit që lëshon pëlqimin mjedisor.
Aty shtohet se ankesat e qytetarëve duhet të merren parasysh pikërisht në debate publike mes banorëve të zonës dhe MMPH-së.
“Ndërmarrja “Ramstone” është e pajisur me Licencë Hulumtimi që nga data 30.05.2019 me NR: 1948/KPMM/2019 , për nxjerrjen e Gurit Gëlqeror. Në atë regjion –Komuna e Klinës, kemi një numër të konsiderueshëm të Licencave të shfrytëzimit të gurit gëlqeror me licenca aktive. KPMM-ja është autoriteti që i licencon ndërmarrjet për Hulumtim, Shfrytëzim dhe Aktivitete të veçanta sipas kërkesave të ndërmarrësve. Licencat u lëshohen pas përmbushjeve të kushteve që rrjedhin nga Ligji për miniera dhe minerale, pra nëse ndërmarrësi aplikon për një licencë të tillë dhe i plotëson kriteret e kërkuara me ligj, licencohet për atë veprimtari. Ndërmarrja në fjalë ende nuk ka aplikuar për shfrytëzim. Ankesat e qytetarëve duhet të merren parasysh gjatë debatit publik që e organizon MMPH –ja me komunitetin e asaj zone para lëshimit të Pëlqimit Mjedisor. P.S. Pëlqimi mjedisor është një prej kushteve thelbësore për marrje të licencës apo lejes së aktivitetit të veçantë”, ka thënë Ramiz Krasniqi, Drejtor i KPMM-së.
E pikërisht këtë hap, banorë të komunës së Klinës janë duke e kundërshtuar.
Por, sipas kryetarit të komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ky institucion ka vepruar sipas ligjit në dhënien e pëlqimit.
Elezaj, megjithatë, ka thënë se do të përkrahë çdo nismë të qytetarëve, që është në përputhje me ligjin.
Kuvendi komunal i Klinës në shkurt të 2019-s, kishte marrë vendim që të ndalohet dhënia e lejeve kompanive që aplikojnë për gurëthyes në aksin rrugor, Prishtinë- Klinë.
KTV-ja për dhënien ose jo të pëlqimit mjedisor për kompaninë “Ramstone”, ka pyetur edhe Ministrinë e Mjedisit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.