Prishtinë–Kompania e njohur botërore “Chipita” S.A ka paditur kompaninë kosovare “Viva Fresh” sh.p.k për konkurrencë jolojale, duke kërkuar që e njëjta t’i largojë nga tregu dhe të mos i prodhojë më produktet “Italianno Croissant” dhe “Italiano Mini Croissant”, produkte këto me ambalazh të ngjashëm me produktin “7 Days”.
Në seancën e sotme përgatitore në Gjykatën Komerciale përfaqësuesi i autorizuar i paditësit “Chipita” avokati Albin Xhemajli duke marrë parasysh ndërrimet organizatave të paditësit përkatësisht, ndërrimin e emrit të biznesit propozoi që padinë të e ndryshojë në kuptim subjektiv, ashtu që tani e tutje në vend të “Chipita” S.A të jetë “Mondelez Hellas Snacks Production Single Member”, , raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë propozim gjykatësi i rastit Gent Bekeri tha se do të vendosë jashtë seancës, apo në seancën e radhës pasi që fillimisht obligoi përfaqësuesin e paditësit që në afat prej 15 ditësh nga dita e sotme të deponojë prova materiale me të cilat vërtetohet ndryshimi i emrit të paditësit.
Gjithashtu gjykata obligoi përfaqësuesin e paditësit që në afat prej 15 ditësh nga dita e sotme ta caktojë saktë vlerën e kontestit nën kërcënimin e pasojave ligjore të përcaktuara sipas Ligjit për Procedurë Kontestimore.
Në fillim të seancës avokati Xhemajli tha se “Viva Fresh” me importimin dhe lansimin në treg të produkteve “Italianno Croissant” dhe “Italiano Mini Croissant”, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit për tregtinë e brendshme.
“Jemi të bindur se vetë pamja e tyre mjafton për një konsumator të rregullt të dyqaneve vendore që të identifikojë se secilin produkt e kanë kopjuar”, tha Xhemajli.
Ndërkaq përfaqësuesi i autorizuar i “Viva Fresh” sh.p.k avokat Etnik Maloku tha se qëndrojnë pranë përgjigjes në padi e dhe më tutje e kundërshtojnë padinë për faktin e njëjta është në tersi e pa bazuar.
Maloku tha nuk qëndrojnë pretendimet se produkti “Viva Fresh” është imitim i produktit të paditëses për shkak se ekzistojnë elemente që i bëjnë të dallojnë esencialisht, sikurse që janë emri personel i markës, skicimi i pamjes fotografike, pozicioni i fjalëve si mbushje, pozicionimi fjalëve, madhësia e saj e krejt në fund edhe dallimi në formatin e shkronjave të përdorura tek fjalët në produkt.
Ai tha se nuk është e vërtetë që produkti “7 Days” njihet nga konsumatorët në kuptim të ngjyrës së kuqe dhe të verdhë, pasi që sipas tij realiteti qëndron se ky produkt njihet nga logoja e tij “7 Days”.
Sipas Malokut në rastin konkret nuk kemi të bëjmë fare me konkurrencë jolojale.
“Në kuptim të lartcekurave vërtetohet se nuk kemi të bëjmë fare me konkurrencë jo lojale në kuptim të nenit 44 , 45 si dhe 48 te ligjit për tregtinë e brendshme”, tha Maloku.
Pas deklarimeve të tilla seanca e sotme ka përfunduar ndërkaq për seancën e shqyrtimit kryesor të çështjes palët do ftohen me ftesa të rregullta.
Sipas padisë kompania botërore “Chipita” S.A që nga viti 1991 prodhon produktin e saj me brendin e mirënjohur “7 Days” dhe “7 Days minni Croissant”.
Në padi thuhet se kohëve të fundit paditësja është njoftuar se Viva Fresh ka filluar të importojë dhe shes produktet “Italiano Croissant “ dhe “Italiano Mini Croissant” të cilat produkte prodhohen për Viva Fresh sh.p.k.
Në padi thuhet se paditësi ka verifikuar se “Viva Fresh” me shitjen e këtyre produkteve në tërësi kanë kopjuar ambalazhin e paditësit duke i përdorur të njëjtat ngjyra dhe të njëjtat kombinime.
Andaj, përmes kësaj padie paditësi ka kërkuar nga gjykata aprovimin e padisë dhe që të obligojë “Viva Fresh” sh.p.k që t’i largojë nga tregu dhe të mos prodhojë, tregtojë, reklamojë apo lëshojë në qarkullim produktet “Italiano Croissant “ dhe “Italiano Mini Croissant” me ambalazh të ngjashëm me ato të “7 Days”./BetimipërDrejtësi