Në dhjetor të vitit 2021, Komisioni i Venecias, me kërkesë të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati miratuar opinionin për projekt-amandamentet e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku kishte gjetur disa vërejtje.
E pas opinionit të dhjetorit, Ministria e Drejtësisë i kishte rishikuar projekt-amendamentet dhe, me letrën e datës 25 shkurt 2022, kishte pyetur Komisionin e Venecias nëse projekt-amendamentet e rishikuara zbatonin rekomandimet kryesore të opinionit të dhjetorit.
Ndërkaq sot, ky komision doli me analizën e re të këtij draftligji, duke vlerësuar në masë të madhe ndryshimet që janë bërë, por ka ende vërejtje.
Komisioni thotë se ky opinion nuk analizon të gjithë elementët e draftit të rishikuar, por fokusohet kryesisht në hartimin e ri institucional të KPK-së dhe në dispozitat kalimtare të propozuara nga drafti i rishikuar.
“Këto ndryshime përfaqësojnë një progres të qartë dhe domethënës krahasuar me draft-amendamentet origjinale, të analizuara në opinionin e dhjetorit. Megjithatë, drafti i rishikuar mund të përmirësohet më tej. Më poshtë jepen rekomandimet më të rëndësishme: Për të përjashtuar ndikimin e mundshëm të padrejtë të PG-së (Prokurorit të Përgjithshëm: shën.red.) mbi anëtarët e tjerë prokurorë në KPK, ligji duhet të bëjë të qartë se anëtarët e prokurorisë janë në KPK në cilësinë e tyre personale dhe se PG-ja nuk mund të përdorë kompetencat e tij/saj të eprorit të tyre hierarkik, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për të ndikuar në punën e tyre në këtë organ; ‘Vizioni’ nuk duhet të jetë në listën e kritereve të përdorura nga Komiteti i ngarkuar me parapërzgjedhjen e anëtarëve porotë; Ligji mund të parashikojë masa mbrojtëse procedurale duke e bërë më objektiv procesin e parapërzgjedhjes së anëtarëve porotë: pjesëmarrjen e ekspertëve, arsyetimin. Ligji duhet të përshkruajë më qartë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të prokurorëve nga komuniteti prokurorial (ndoshta duke futur një formë të votimit preferencial); Duhet të qartësohet edhe procedura e parapërzgjedhjes së anëtarëve porotë; në veçanti, ndërsa Komisioni mund të filtrojë disa kandidatë që nuk gëzojnë mbështetje të mjaftueshme, ai duhet t’i sigurojë Kuvendit një listë mjaft të gjatë të kandidatëve të pranueshëm për të zgjedhur”, thuhet në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Komisioni thotë se rekomandimet e mësipërme nuk ndikojnë në konkluzionin e përgjithshëm se çështjet kyçe të identifikuara nga Komisioni në opinionin e dhjetorit 2021 janë adresuar. Thekson po ashtu se zbatimi i atyre rekomandimeve më konkrete të përfshira në këtë opinion dhe në opinionin e dhjetorit duhet të lihet në diskrecionin e Ministrisë dhe Kuvendit, në dialog me palët e interesuara kombëtare, ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Komisioni i Venecias, ndërkaq, ka lavdëruar përmirësimet e këtij draftligji, sidomos në pikën ku thuhet se përbërja e re e KPK-së (ku prokurorët e zgjedhur nga kolegët e tyre përfaqësojnë tre nga shtatë anëtarë, dy anëtarë porotë zgjidhen nga Kuvendi, një anëtar porotë emërohet nga avokati i Popullit dhe prokurori i përgjithshëm është anëtar sipas detyrës zyrtare). Kjo, sipas KV-së, “nuk cenon standardet ndërkombëtare”.
“Kompetencat e prokurorit të përgjithshëm në fushën disiplinore janë të kundërbalancuara nga kërkesa e shumicës së cilësuar për vendimmarrjen në çështjet disiplinore brenda KPK-së, e cila është një shtesë e dobishme”, thotë Komisioni.
Më tej, vlerësohet pozitive edhe procesi i parapërzgjedhjes për anëtarët e Prokurorisë i cili bazohet vetëm në kritere formale. “Procesi i parapërzgjedhjes për anëtarët porotë është thjeshtuar, gjë që është gjithashtu një përmirësim”, thekson më tej KV-ja.
Më e rëndësishmja, thotë Komisioni, drafti i rishikuar trajton shqetësimin kryesor të Opinionit të Dhjetorit në lidhje me dispozitat kalimtare, të cilat fillimisht parashikonin zëvendësimin e të gjithë anëtarëve aktualisht në detyrë dhe mundësinë që një “KPK e reduktuar” (e përbërë vetëm nga anëtarë porotikë) të ketë kompetencat e plota të KPK-së.
“Drafti i rishikuar lejon që tre nga 9 anëtarët aktualë të prokurorisë të mbajnë mandatin e tyre, gjë që është shumë më mirë se një rinovim i plotë i përbërjes së tij, si dhe braktis idenë e një ‘KPK-je të reduktuar’”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.
Këto ndryshime, thotë KV-ja, përfaqësojnë një progres të qartë dhe domethënës krahasuar me draft-amendamentet origjinale, të analizuara në opinionin e dhjetorit.