KOMANDANTI I KFOR-IT, MICHELE RISI VIZITOI KLINËN

KOMANDANTI I KFOR-IT, MICHELE RISI VIZITOI KLINËN

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të Komunës, ka pritur sot në takim Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Michele Risi, ku kanë biseduar për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e tjera në Komunën e Klinës.

Kryetari Elezaj uroi Komandantin Risi për marrjen e detyrës si Komandanti i KFOR-it në Kosovë dhe e njoftoi atë se situata e sigurisë në Klinë është e qetë dhe nuk janë paraqitur probleme të natyrave ndëretnike.

Elezaj duke e vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Komunës dhe KFOR-it, shprehi gatishmërinë që një bashkëpunim i tillë të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të ofrimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt për qytetarët.

Në anën tjetër Komandanti Risi falënderoi Kryetarin për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij për bashkëpunim çdo herë që është e nevojshme.

Kryetari Elezaj dhe Komandanti Risi vazhduan vizitën në dy institucionet fetare në Klinë, myslimane dhe katolike, ku janë pritur nga prijësit fetarë, Kadri Berisha, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame dhe Don Agim Qerkini, famullitar i Kishës, të cilët e kanë njoftuar Komandantin Risi për bashkëjetesën fetare si një pasuri dhe kulturë e çmuar e popullit të Kosovës.

Komandanti Risi ka filluar mandatin e tij si Komandant i KFOR-it në Kosovë në nëntor të vitit 2019 dhe kjo është vizita e parë zyrtare që bën në ndonjë komunë në vend.