Tomë Mrijaj
Kolë M. Berisha krahu i djathtë i presidentit dr. Ibrahim Rugovës
Vitet kalojnë dhe në kujtesën e freskët të historisë së Kosovës, gjithmonë një vend të veçantë zë figura e patriotit dhe personalitetit të shquar shqiptar Kolë M. Berisha, i cili, gjatë gjithë jetës së tij aktive tregoi me shembuj pozitiv konkret një heroizëm të veçantë, duke përballuar ngjarjet e dhimbshme të historisë plot plagë të atdheut tonë martir.
Me mikun tim të dashur Kolën për herë të parë u takuam në vitin 1966 në shkollën Normale “Hysni Zajmi” të Gjakovës.
Ai ishte një djalë elegant, i dashur dhe shumë serioz me të gjithë, fjalë pak e punë shumë, mik dhe shok besnik me të gjithë atë që e kanë njohur nga afër.
Që asokohe dhe deri sot në jemi miq të njeri-tjetrit. Pas përfundimit të shkollë së mesme, Kola, ka punuar disa vite si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqit” në Klinë, dhe gjatë kësaj kohë jemi takuar disa herë, ku kemi shkëmbyer mendime dhe ide mbi Kosovën, dhe fatkeqsitë që e ka pllakosur atë në ato ditë. Kola ishte një patriot i flaktë.
Atë e kam takuar edhe gjatë vizitave të shpeshta zyrtare, që ka bërë në New York, duke qenë nënkryetar i LDK-së. Ai këtu kishte dajët e tij.
Ai ishte në shtëpinë time këtu në New York, me të cilin kemi folur gjatë për Kosovën. Kola, sa here që ka ardhur në SHBA, ka vizituar edhe zyrën e Lidhjes së Tretë të Priztenit në Bronx, New York, kryetarin e Lidhjes Ismet Ukë Sadik Berishën, të cilin e kishte bashkëvendas, dhe mua si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes.
Presidenti dr. Ibrahim Rugova, shumë vite më parë kishte organizuar një manifestim të madh, për përkujtimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, ku, ai kishte ftuar shumë personalitete të botë shqiptare nga të gjithë vendet e ndryshme të botës.
Midis tyre, me ftesë të posaçme nga Presidenti dr. Rugova ishte edhe delegacioni i ynë i ardhur nga SHBA, në krye të të cilës ishte kryetari i Lidhjes së Tretë të Prizrenit Ismet Ukë Sadiku Berisha dhe unë si Sekretar i Përgjithshëm i saj.
Për ne ishte një çast shumë emocionues, mbasi Presidenca e Kosovës, vlerësonte shumë kontributin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit në SHBA (1962), e cila kishte bërë shumë përpjekje për çeshtjen e Kosovës, përmes demostratave, peticioneve, memorandumeve, letrave dërguar presidentëve në Shtëpinë e Bardhë, senatorëve, kongresmenëve etj.
Ditën e nesërme vizitën e parë në Prishtinë e filluam me nacionalistin Kolë M. Berishën, në zyrën e tij si fuksionar i lartë i LDK-së. Atë ditë mbas një bisede të ngrohtë dhe miqësore, Kola mua dhe Ismetit na dhuroi nga një libër të tij, me titull: “Ditari i një izolanti”.
Gjatë bisedës sonë në zyrën e tij, në një moment, unë i drejtohem mikut të vjetër të shkollës Kolës me shaka: “Pse kaq shumë roje për udhëheqësit sot në Kosovën e Lirë!?” Pergjigja e tij ishte buzëqeshja, e cila na la shumë për të kuptuar.
Gjatë një dite tjetër, të qëndrimit në Prishtinë, ne pamë më sytë tanë makinën e presidentit të Kosovës dr. Rogovës, të rrethuar nga shumë roje.
Ne, u shqetsuam shumë, kur pamë këtë skenë. Në ato momente shumë të ardhur, që ishim vendosur në hotelin “Grand”, në ditët në vijim, ku, kishim takime dhe darka pune të ndryshme, në të cilat na shoqëroi edhe vetë Presidenti Dr. Rugova, Kolë M. Berisha dhe akademik Mark Krasniqi etj., sërisht ne na u krijua një përshtypje e pakëndshme, se diçka nuk shkonte në Kosovën e lirë.
Këto skena me truproja, kërkojnë shumë shpenzime financiare, të cilat rëndonin shumë ekonominë e shkatërruar dhe të lodhur të Kosovës, që sapo kishte dalur nga lufta e saj për liri. Kosovën e lamë me zemër të thyer.
Një ditë në shtëpinë time
Në shtëpinë time, një ditë erdhi për vizitë miku i familjes Ukë Gjoka, i cili, për disa vite ka punuar si profesor i gjuhës angleze në gjimazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës.
Uka kur e pa në bibiotekën time librin: “Dirari i një izolanti”, me autor Kolë M. Berishën, iu mbushën sytë me lot.
Unë e pashë në sy, se ai ishte prekur thëllë dhe mbasi e mori vetën e pyes Ukën. Ai filloi të rrëfej: “Një ditë mbas orarit të mësimit me shumë kolegë të gjimnazit, ishim nisur për të pirë një kafe sëbashku dhe biseduar për gjendjen e vështirë të atyre ditëve, që po kalonte Kosova e jonë, në mesin tonë ishte edhe sekretari i saj Kolë M. Berisha, para se të mbërrijmë në qendër tek udhekryqi, pamë disa policë serb. Njeri nga kolegët tha: “Pse kaq shumë policë aty!!!”
Kola, duke e ndjekur nga afër situatën, që u krijua ai menjëherë tha: “Policët nuk kanë punë me ju, por vetëm me mua.” Dhe ashtu ndodhi.
Policët, sapo u afruan tek ne, u drejtuan menjëherë drejt Kolës në mënyrë agresive dhe filluan me shkopinj që kishin në duar ta qëllonin papushim në trup. Ata vetëm e qëllonin pa ditur se ku i binin atij.
Kola, i gjatë qëndrote stoik. Trupi i tij u nxi nga shkopinjt e gomës dhe shqelmat e mallkimet me fjalë banale që përdorinin policët…
Ai kishte vendosur dy duart në mbrotje të kokës së tij dhe gjatë gjithë asaj kohe deri që është rrëzuar përdhe.
Ne, asokohe në atë skenë makrabre të krijuar nga policët mizorë serb, jemi ndier shumë keq, sepse nuk ishim në gjendje ta ndihmonim shokun tonë Kolën.”
Kulla apo shtëpia e tij në Klinë, është e para që është goditur nga breshëritë e plumbave të çetnikëve serbë, e cila edhe sot është e pabanueshme dhe ka gjurmët e plumbave dhe nuk banohet nga askush. Ajo është një dëshmi historike e dhunës policore serbe, ndaj shqiptarëve dhe shtëpive të tyre.
Miku im Kolë Berisha, prej shumë viteve nga plagët që ka marrë gjatë asaj periudhe të vështirë, gjendet sot i sëmurë në shtëpinë ë tij në Prishtinë, nën kujdesin e vijueshëm të familjes së tij të dashur.
Më vjen shumë keq, që prej shumë vitesh, për patriotin e shquar Kolë M. Berisha, askush nuk ka shkruar asnjë rresht përkujtimi të historive të tij plot plagë, kur të gjithë e dijnë se ai ishte edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, lider kryesor i LDK-së, miku dhe krahu i djathtë më i ngushtë i Presidentit dr. Rugovës.
Dhimbjet e Kolës janë plagët e përgjakshme të të gjithë shqiptarëve
Një vepre të kompletuar si: “Ditari i një izolanti”, shkruar nga atdhetari i shquar Kolë M. Berisha, është e vështirë t’i bëhet një parathënie, sepse nuk mund t’i bësh ndonjë interpretim ose koment, të japësh ndonjë meditim apo shtosh fjalë pa rënë në përsëritje të atyre çfarë ka thënë vetë autori, sepse ai ka rrëfyer me sinçeritet gjithçka, që mund të thuhet rreth lëndës, që ka trajtuar me një vërtetësi absolute.
Aty tregohen deri në hollësitë më të vogla të gjitha vuajtjet fizike dhe shpirtërore, traumat dhe streset psiqike, që pësoi “izolanti” dhe jo vetëm ai, gjithë asaj periudhe afro tre mujore të atij “izolimi arbitrar”, që në fakt nuk ishte një “izolim”, por një burg i vërtetë.
Prandaj edhe unë nuk do t’i bëj ndonjë parathënie këtij libri, gjë të cilën ia ka bërë vetë autori me shkrimin “Në vend të hyrjes”, por dua të them vetëm dy fjalë, duke theksuar fort me plot gojën, se kjo vepër nuk është thjesht një “Ditar” i zakonshëm kujtimesh e ngjarjesh të kaluara, që lexohen dhe harrohen shpejt; por është një akt-akuzë, që të ngulitet thellë në memorie e të lë mbresa të paharruara për gjithë jetën; është një akt-akuzë më e fuqishme, që mund t’i bëhet diktaturës serbo-komuniste të Millosheviqit, për urretjen psikologjike dhe për gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, jo vetëm për atë periudhë tre mujore, por edhe gjatë sundimit të diktatorit Millosheviq gjatë një shekulli të tërë.
Kjo urretje e pakufishme e brumosur për dekada me radhë në shpirtin serb ndaj popullit kosovar, për të vetmin faj se ai është një popull autokton në trojet e veta, i ka rrënjët pikërisht në faktin e qënies së tyre të vetëdijshëm, sepse sipas serbëve ata janë si mish i huaj në atë tokë, të cilën e zaptuan dhe e mbajtën me dhunë.
Prandaj, autoktonët duhet të shfarosën ose të detyrohen të largohen me dhunë, që Kosova shqipare të bëhet plotësisht pronë e përjetshme e tyre. Kjo është filozofia shoviniste serbe.
Pikërisht, këtu qëndron edhe vlera e këtij “Ditari i një izolanti”, i cili, duhet të ruhet përjetsisht si një dokument dhe provë e gjallë, për të gjitha ato krime monstruoze të ushtruara nga përbindshat serbë mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, me qëllim që mos të harrohen dhe kurrë të mos përsëritet më ⁹kjo histori e dhimbshme.
Dhe këtë mësazh kaq human, jam i bindur se z. Kolë M. Berisha, ia ka dalë ta përçojë me sukses në zemrat e çdo lexuesi e veçanërisht të rinisë e popullit kosovar.
Si shok i tij, shqiptar e si kosovar, e përgëzoj me gjithë zemër e mirënjohje të thellë për këtë vepër edhe pse ndodhem mijëra kilometra larg Atdheut dhe Kosovës sime të dashur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë M. Berisha, duke pritur kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë M. Berisha, duke peruruar Bibliotekën e Kuvendit të Kosovës, një project i mbështetur nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, një prej figurave të rëndsishme të LDK-së gjatë viteve të 90-të dhe pas luftës një kujtim i paharruar me dr. Ibrahim Rugovën.