Koka e bandave në Veri që ra në prangat  Policisë së Kosovës ka të kaluar kriminale, dyshohet për disa vepra penale 

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në veri të Kosovës, ku është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkoviq – Llune. Ai dyshohet se është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijës i bandave kriminale.

I njohur si Lune, ai ka të kaluar kriminale pasi dyshohet se ka kryer disa vepra penale.

Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka ka bërë me dije se gjatë këtij aksioni janë lënduar tre pjesëtarë Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Ndryshe, lryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në një konferencë për media njoftoi për propozimin e tij për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, që ua ka bërë ndërkombëtarëve.

Plani i kryeministrit parasheh pesë pika që, sipas tij, ndihmojnë në ulje të tensioneve:

Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtareve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët.

Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akti kriminal kundër institucioneve të Kosovës.

Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.

Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë akterët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.

Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave.

/GazetaSinjali/