Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një reagimi ka thënë se Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet të pamundësojë mbrojtjen e të akuzuarve.
Sipas KMDLNj-së, që nga fillimi, të akuzuarit nuk i kanë marrë materialet ose i kanë marrë vetëm pjesërisht të përkthyera në gjuhën shqipe apo gjuhën që e kuptojnë që është e drejtë elementare e njeriut për përgatitje të një mbrojtjeje efektive që i garantohet me të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për persona të privuar nga liria, njofton Klan Kosova.
“Prokurori i Zyrës së Specializuar ka deklaruar se nuk kanë asnjë detyrim ligjor t’i përkthejnë materialet në gjuhën shqipe duke iu referuar rastit të Jakup Krasniqit. Ishte skandaloze që edhe vendimi për caktim të paraburgimit dhe konfirmimi i aktakuzës, vetëm pjesërisht ishin të përkthyera në gjuhën shqipe dhe arsyetimi i DHS-së ishte se; ‘materialet po përkthehen..’”.
Kjo është, sipas KMDLNj –ës shkelje flagrante e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria që drejtpërsëdrejti ndikon në cilësinë e përgatitjes së një mbrojtjeje efektive aq më parë që shumica e të akuzuarve nuk kanë njohuri të mjaftueshme që mbrojtjen ta përgatitin në gjuhën që e imponon Gjykata Speciale.
“Për të bërë edhe më shumë presion në pamundësimin e mbrojtjes së të akuzuarve, Prokuroria Speciale në Hagë po përpiqet të frikësojë mbrojtësit duke kërkuar nga Trupi Gjykues t’i sanksionojë avokatët për opinionet e tyre publike në media të ndryshme në kohën kur pikërisht kjo Prokurori Speciale në mënyrën më brutale e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë duke deklaruar, jo vetëm një herë se të akuzuarit mund të dënohen me burg të përjetshëm, pa një vendim të formës së prerë të Gjykatës përkatëse”.