Klubi i Prodhuesve përkrah vendimin për rezervat shtetërore dhe kërkon qe ato të jenë me produkte “Made in Kosova”.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës e përshëndet vendimin e sotshëm të Qeverisë së Kosovë për miratimin e vendimit që rezervat shtetërore të përfshihen në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, ku u nda një buxhet prej 10 milionë eurove për rezervat shtetërore.
Ky klub shpreh përkrahjen ndaj propozimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati që ky vendim të jetë pjesë e masës 3.8, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike.
“Duke pasur parasysh luhatjet e fundit të çmimeve në tregjet botërore, blerja e rezervave shtetërore është mese e domosdoshme për stabilitetin e tregut vendor”, thuhet në njoftimin e Klubit të Prodhuesve.
Në të njëjtën kohë kërkohet nga Qeveria e Kosovës që blerjet për rezervat shtetërore të bëhen me prodhimet vendore, pasi që konsiderojmë që Kosova prodhon mjaftueshëm produkte esenciale që të jenë pjesë e rezervave shtetërore.
Njëkohësisht me blerjen e produkteve Made in Kosova, përkrahen vetë prodhuesit vendor dhe qëndrueshmëria ekonomike e vendit tonë.