Është e provuar që një euro e investuar në sport dhe edukim fizik është barazi me tre euro të shpenzuara në shëndetësi. Jemi nga fundi i listës së vendeve në Evropë për lëvizje fizike të popullatës dhe duket që qeveritarët komunal të Klinës kanë vite pa lëvizur vetë. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe skandali i fundit i qeveritarëve të Komunës së Klinës, gjegjësisht komisionit të formuar për ndarjen e subvencioneve për Klube Sportive dhe OJQ-të që veprojnë në këtë Komunë.
Klubi i boksit “Dukagjini” në Klinë e konsideron ndarjen e subvencioneve nga Komuna si të turpshëm dhe aspak korrekt. Këtij klubi sportiv i cili vepron që nga viti 2005 dhe që ka dhjetëra të rinj të angazhuar në stërvitje, të udhëhequr nga tre trajnerë profesionist, dikur kampion në kategoritë e tyre , i ndau vetëm 500 euro për aktivitete vjetore. Ndërsa disa klube të tjera të posa themeluara dhe OJQ që udhëhiqen nga zyrtarë të Drejtorisë së Kulturës në Klinë (dikush duhet t`i hetoj për konflikt interesi), u privilegjuan me shuma shumë më të mëdha.
Me 500 eurot e ndara, Klubi i Boksit “Dukagjini”, nuk mund t`i mbulojë as shpenzimet minimale të obligueshme për boksierët që stërviten, prandaj në shenjë proteste ndaj kësaj padrejtësie, këto mjete të ndara, e as për së afërmi të mjaftueshme, i refuzon.
Pushtetarët e Klinës, duhet ta dinë që Investimi në sport është një ndihmë shumë e madhe që iu jepet prindërve në funksion të largimit të fëmijëve nga rruga e shumë alternativave të tjera të dëmshme, si droga, kafenetë, bixhozi, etj.