Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se dosjet e personelit të komunës nuk janë të kompletuara në përputhje me rregulloret e punës.
Sipas ZKA-së, parregullsi në kompletimin e dosjeve janë gjetur për shërbyesit civil të komunës dhe në dosjet në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
Gjithmonë sipas ZKA-së, dosjeve të shërbyesve civil, punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë në disa raste ju mungonin dokumentet si, çertifikata e lindjes, kopja e diplomave, vlerësimi i punës, vërtetimi i përvojës së punës, forma e pushimit vjetor dhe mjekësor dhe dëshmi tjera që kërkohen të jenë pjesë e dosjeve të personelit.
Gjithashtu Auditori ka gjetur edhe se Drejtoria e Arsimit kishte punësuar një mësimdhënës për lëndën e Fizikës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “ Azem Bejta” në Grabanicë, por që konkursin nuk e kishte publikuar në njërën nga mediat e shkruara ashtu siç kërkohet me Udhëzimit Administrativ, por e kishte publikuar vetëm në web-faqen e komunës.
Mos azhurnimi dhe kompletimi i dosjeve me dokumentet e nevojshme si dhe mospublikim i konkursit në media të shkruara sipas Zyrës së Auditorit rrit rrezikun në menaxhim jo adekuat të stafit dhe rekrutimit duke reflektuar me parregullsi dhe mungesë të informatave për stafin e punësuar.
“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e kontrolleve mbi dosjet e personelit në mënyrë që të gjitha dosjet të jenë të kompletuara me dokumentacionin e nevojshëm deri në fund të vitit. Po ashtu, konkurset duhet të shpallen në njërën nga mediat e shkruara”, është rekomandimi i ZKA-së ndaj Komunës së Klinës.
Zyra Kombëtare e Auditimit në një raport prej 39 faqeve ka përmbledhur të gjeturat dhe parregullsitë në Komunën e Klinës.
Për vitin 2018 ZKA i ka gjetur 16 parregullsi në Komunën e Klinës. 16 te gjetura i ka përmbledhur ZKA edhe në raportin paraprak për të njëjtën komunë.
Zyra Kombëtare e Auditimit edhe në vitin 2017 kishte hasur në parregullsi për punësimin e stafit pa shpallur konkurs publik.
E njëjta ishte bërë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “At Gjergj Fishta” në Jogadë, ku ishte angazhuar një mësimdhënës i mësimit klasor dhe në Shkollën e Mesme “Tre dëshmorët” në Jashanicë ku ishte angazhuar një zyrtar/ndihmës, duke mos aplikuar procedurat e punësimit, pra duke e tejkaluar procedurën e shpalljes së konkursit në mënyrë publike.
“Bazuar në nenin 8 të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës, punëdhënësi është i obliguar që të shpall konkurs publik”, thuhet në raportin e ZKA-së.