KLINA SHËNON 20 VJETORIN E ÇLIRIMIT
Komuna e Klinës, nën përkujdesjen e Kryetarit, prof. dr. Zenun Elezaj, me disa aktivitete të ndryshme ka shënuar Ditën e Çlirimit të Klinës, për të kujtuar dhe nderuar veprën heroike të dëshmorëve dhe luftëtarëve të rënë në altarin e lirisë.
Aktivitetet kanë filluar me intonimin e himnit kombëtar dhe ngritjen e flamurit kombëtar dhe atij shtetëror pranë objektit të komunës. Pastaj Kryetari i Komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, bashkë me kryesuesin e kuvendit komunal, z. Fadil Gashi, bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të Organizatave të dala nga Lufta, institucioneve lokale dhe qytetarë kanë bërë homazhe dhe kanë venë kurora lulesh pranë shtatores së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqit, si dhe në kompleksin Memorial, “Kodra e Kuqe, te varrezat e dëshmorëve në Grabanicë të Klinës.
Po ashtu, për nderë të Ditës së Çlirimit është mbajtur seancë solemne e Kuvendit Komunal dhe është mbajtur Akademi Përkujtimore në Qendrën e kulturës, “Jehona e Dukagjinit”.
Në këtë Akademi Përkujtimore, para të pranishmëve, Kryetari i Komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, theksoi se populli i Kosovës do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës luftëtarëve të lirisë dhe miqve ndërkombëtar për ndihmën dhe gjithçka çfarë dhanë për lirinë e këtij vendi dhe të këtij populli.
“Ky popull do t’u jetë përgjithmonë këtyre miqve për ndihmën dhe gjithçka çfarë dhanë për lirinë e këtij vendi dhe të këtij populli. I është mirënjohës ish-presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili për shumë vite udhëhoqi këtë populli dhe me vizioni e tij lirisë dhe demokracisë së Kosovës i ka dhënë dimensione frytdhënëse. U është mirënjohës familjes Jasharaj dhe familjes Haradinaj, të cilët dhanë shumë për këtë ditë të bekuar. Ky popull deri në përkulje i është mirënjohës Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht gjithë luftëtarëve të Lirisë së Kosovës, gjithë atyre që me gjakun e kuq të tyres, sollën lirinë e Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve të kombi. Kjo ditë ka hapur një epokë të re në historinë e këtij vendi, ka hapur shtigje të reja të jetës sonë, të arritjeve të vlerave të demokracisë dhe begatisë, të vlerave të civilizimit perëndimor. Dhe këto shtigje duhet ndjekur, sepse është detyrim që na e kanë lënë çlirimtarët e këtij vendi.”
Në fund të Akademisë OVL-UÇK dega në Klinë ndau mirënjohje për Zonat Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.