Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për nder të 4 Prillit-Ditës së të Pagjeturve të Klinës, është organizuar Akademi Përkujtimore.
Të pranishëm në këtë akademi ishin, kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Nënkryetarja e Komunës, Marqe Tanushi Selmanaj, Kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, Baca Halil Krasniqi, baba i dy heronjve të kombit, komandanti i Policisë së Kosovës në Klinë, z. Ragip Bytyqi, ish- zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Ramë Manaj, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, znj. Nysrete Kumanova, Demë Ramosaj dhe Bajram Qerkini, z. Prenkë Gjeta, Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ymer Mërlaku nga Shoqata e të Zhdukurve, Dega në Klinë, familjarë të të zhdukurve, qytetarë etj.
Kryetari me një fjalë rasti para të pranishmëve tha: “Jemi mbledhur bashkë, sikur çdo vit tjetër, për të ndarë kujtimet e dhimbjen për këta pishtarë të lirisë, për të ngushëlluar njëri-tjetrin, por edhe për të ngritur zërin për zbardhjen e të vërtetës e dënimin e kryesorëve të masakrave në Kralan, Pastasel, Pjetërq, Izbicë e kudo në Kosovë. Masakra e Kralanit, por edhe shumë masakra të tjera anekënd Kosovës, janë dëshmi se Serbia jo vetëm që vrau civilë shqiptarë të pafajshëm e të pambrojtur, por u përpoq që t’i humb gjurmët e krimeve gjenocidale që ka shkaktuar gjatë luftës në Kosovë. Ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi që e vërteta mbi gjenocidin serb të ushtruar ndaj popullatës sonë të zbardhet plotësisht.
Ftoj të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të punojnë me seriozitet e përkushtim maksimal deri në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie, që të gjithë familjarët që janë në pritje për shumë vite për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, më në fund të mësojnë për fatin e tyre, në mënyrë që kjo plagë e të pagjeturve të mbyllet dhe ata që kanë shkaktuar këtë dhimbje popullit të Klinës dhe Kosovës, të marrin përgjigjen e merituar. Lavdi e përhershme për dëshmorët, martirët e kombit dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”,- ka thënë Elezaj.
Me një fjalë rasti të pranishmëve i janë drejtuar edhe Ramë Manaj, Ymer Mërlaku e Andin Hoti.
Akademia u përmbyll me vargjet e poezisë së Valdon Malokut, kushtuar të pagjeturve.
Po ashtu, në shenjë kujtimi e nderimi për të rënët për liri e të pagjeturit e luftës, në 23- vjetorin e masakrës së Kralanit, janë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë Memorialit të të pagjeturve në Klinë, tek Memoriali i të pagjeturve në Kralan, Izbicë e Pastasellë, vende këto ku kriminelët serbë kryen masakra të tmerrshme e jonjerëzore.