KLINA NË DHEMBJEN E 4 PRILLIT

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar tubime përkujtimore si dhe kanë vendosur kurora lulesh tek pllaka përkujtimore e martirëve në Klinë, pllaka përkujtimore e familjes Dushi në Klinë, pllaka përkujtimore në fshatin Kralan, Qupevë si dhe tek kompleksi memorial i varrezave në Pastaselë dhe Izbicë, për nder të 4 Prillit- Ditës së të Pagjeturve në Komunën e Klinës.

Të pranishëm në këto aktivitete përkujtimore ishin kryetari i komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, komandanti i Policisë, rajonit në Klinë, z. Ragip Bytyqi e familjarë dhe të afërm të të rënëve.

“Në kujtim të 4 Prillit, si datë që i kushtohet të gjithë të pagjeturve, kujtojmë gjithashtu dhimbjen tonë më të madhe që ka Klina. Kjo është sakrificë e gjithë popullit shqiptar, një përvojë e hidhur dhe një humbje e madhe e cila hodhi hapat për lirinë e vendit. Familjarëve u themi që e gjithë Klina dhe e gjithë Kosova janë bashkë me ju.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve”, – ka thënë Elezaj me një fjalë rasti.
Në fund të aktiviteteve përkujtimore, në hollin e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit” është mbajtur ekspozitë me fotografitë e personave që sot i mungojnë Klinës e më shumë familjeve të tyre.

Këtë ekspozitë me pjesëmarrje e nderuan edhe z. Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, si dhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qendror për Persona të Pagjetur.