Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për Grantin e Performancës për vitin 2023.
Si rezultat i punës së mirë dhe qeverisjes transparente, Klina ka përfituar një shumë mbresëlënëse prej mbi 378,000 euro, duke u renditur ndër komunat më të mira në Kosovë për performancë.
Në një deklaratë pas nënshkrimit, Kryetari Elezaj shprehu falënderimet e tij për ministrin Krasniqi, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme që MAPL ofron për komunat, shkruan Raporto24.
“Ky grant është një dëshmi e qartë e punës sonë të përkushtuar, demokratike dhe transparente. Kjo arritje na motivon të vazhdojmë me projekte konkrete dhe të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët,” theksoi Elezaj.
Fondi do të përdoret për realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, duke u bazuar në prioritetet dhe kërkesat e qytetarëve të Klinës.
Ky sukses tregon edhe një herë rëndësinë e menaxhimit të përgjegjshëm dhe përkushtimit ndaj përmirësimit të jetës së qytetarëve.