Problemeve të qytetarëve të Komunës së Klinës për furnizim me ujë të pijshëm, duket se së shpejti do të i vjen fundi. Kjo pasi për këtë qëllim do të investohen edhe 700 mijë euro,
Komuna e Klinës, përmes faqes zyrtare në facebook, ka njoftuar se kryetari Elezaj dhe ministri Kuçi kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për funksionalizimin e fundërruesit të ujit dhe ndërrimi i filtrave të fabrikës së ujit, që sipas njoftimit të komunës do të ndikojë në rritjen e kapacitetit të fabrikës.
“Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, z. Blerim Kuçi, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për projektin për “Ndërtimin, funksionalizimin, mbikëqyrjen e fundërruesit të ujit si dhe ndërrimi i filtrave të fabrikës së ujit të pijshëm në Klinë”, projekt ky shumë i nevojshëm për qytetarët e Klinës”, njofton komuna.
Kryetari Elezaj ka falënderuar ministrin Kuçi për mbështetjen që po i jep këtij projekti, që ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Klinës.
“Elezaj theksoi se ndërrimi i filtrave të fabrikës është një domosdoshmëri për funksionalizimin e fabrikës së ujit dhe rritjen e kapaciteteve të saj, ndërsa tha se komuna mbetet e përkushtuar në gjetjen e zgjidhjes afatgjatë për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Klinës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Vlera e projektit është 700 mijë euro, ku 200 mijë do të i paguajë Komuna dhe 500 mijë Ministra e Ekonomisë dhe Ambientit, ndërsa projekti do të implementohet këtë vit dhe në vitin e ardhshëm./Klina.info/