Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, sot ka pritur në takim kryetarët nga Komuna e Deçanit, Blerim Ramosaj, dhe të Junikut, Agron Kuqi, si dhe Marijan Hohnjec, përfaqësues i projektit “Iniciativat testuese për investimet e njësive të banimit në efiçiencën e energjisë”, projekt i cili është në kuadër të Programit të Pragut për Kosovën të MCC-së i zbatuar nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës.
Kryetari Elezaj, më këtë rast me përfaqësuesin e projektit ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, që siguron kornizën e bashkëpunimit ndërmjet palëve për zbatimin efektiv të Projektit, përcjell InfoKomuna.
Më rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të mirëkuptimit, kryetari Elezaj falënderoi Hohnjec për përkrahjen dhe theksoi se Komuna do të angazhohet në përmbushjen e obligimeve të saj nga kjo marrëveshje.
Kryetari Elezaj po ashtu shtoi se inicimi i bashkëpunimit për këtë projekt është shumë i rëndësishëm pasi përmes këtij projekti familjet përfituese do të kenë mundësi që të përfitojnë zbatimin e masave efiçiente në favor të energjisë, masa njëkohësisht të kërkuara me standardet e BE-së, të reduktojnë pastaj edhe shpenzimet për energji elektrike.
Ndërsa Marijan Hohnjec, udhëheqës i pakos, theksoi rëndësinë e zbatimit të këtij projekti dhe falënderoi Kryetarin Elezaj për gatishmërinë e treguar për realizimin e tij.
Qëllimi i inicimit të këtij bashkëpunimi është të kontribuojë në rritjen e efiçiencës së energjisë, rinovimin e shtëpive për familjet me raste sociale që përfshijnë izolimin dhe ndërrimin e dritareve, që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetesës si dhe do të ndihmojë në përafrimin e standardeve mjedisore të BE-së.