Në Klinë, janë intensifikuar përgatitjet për organizimin e Festivalit Folklorik mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili tashmë është bërë tradicional, që nga pas lufta, i cili mbahet çdo vit, për tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor.
Sivjet festivali shënon 21 vjetorin e rrugëtimit të tij, rrjedhimisht qysh tash vërehet një angazhim i komunës, sidomos i Drejtorisë për kulturë rini dhe sport, e cila bashkë me këshillin organizativ e ka barrën më të madhe të organizimit dhe mbarëvajtjes së festivalit.
Drejtoresha për kulturë, rini dhe sport Fatjona Gashi, theksoi se sivjet përgatitjet për mbajtjen e tij duhet të jenë sa më të mira. “Komuna sivjet ka angazhuar edhe drejtoritë komunale në mënyrë që festivali të jetë ashtu siç duhet.
Të gjithë bartësit e detyrave të festivalit do të jenë në nivel si kurdoherë më parë. Tashmë e kemi edhe traditën e përvojën në organizimin e këtij evenimenti folklorik mbarëkombëtar. Në këtë drejtim komuna do ta mbështes financiarisht festivalin, duke u mbështetur në vendimin e asamblesë komunale”, theksoi drejtoresha Gashi.
Ajo tha se procedurat e prokurimit janë në përfundim sipër, krejt sipas procedurave ligjore. Ndërkaq, drejtori i Festivalit, Alban Gashi, njoftoi se deri më 25 maj do të dihen grupet pjesëmarrëse në festival, ku edhe do të jetë i gatshëm edhe skenari.
Festivali nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit para Kullës muze. Sekretari i festivalit, njëherësh edhe zëdhënës i festivalit, paraqiti gazetarët që do ta përgatisin gazetën “Lyra”, që botohet në kuadër të aktiviteteve që mbahen për tri ditë me radhë. Fatmir Berisha, nga drejtoria Artistike e Festivalit tha se ka interesim të grupeve dhe ansambleve që të marrin pjesë në festivalin e sivjetmë. Drejtoria edhe po e bënë seleksionimin.
Në mbledhjen e Këshillit Organizativ , u vlerësua se Festivali për çdo vit ka shënuar arritje të larta, si për nga cilësia, masivizimi dhe pjesëmarrja e rapsodëve, grupeve, ansambleve, valltarëve dhe instrumentistëve nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora. Anëtar i Këshillit organizative sivjet nga diaspora është edhe Driton Kryeziu.