Në Klinë, janë intensifikuar përgatitjet për organizimin e Festivalit Folklorik mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili tashmë është bërë tradicional, që nga pas lufta, i cili mbahet çdo vit, për tri ditë me radhë, më 6, 7 dhe 8 qershor. Sivjet festivali shënon 20 vjetorin e rrugëtimit të tij, rrjedhimisht qysh tash vërehet një angazhim i komunës, sidomos i Drejtorisë për kulturë rini dhe sport, e cila bashkë me këshillin organizativ e ka barrën më të madhe të organizimit dhe mbarëvajtjes së festivalit. Drejtoresha për kulturë, rini dhe sport Fatjona Gashi, theksoi se sivjet festivali është jubilar, ndaj edhe përgatitjet për mbajtjen e tij duhet të jenë sa më të mira. “Komuna sivjet ka angazhuar edhe drejtoritë komunale në mënyrë që festivali të jetë ashtu siç duhet. Të gjithë bartësit e detyrave e festivalit do të jenë në nivel si kurdoherë më parë. Tashmë e kemi edhe traditën e përvojën në organizimin e këtij evenimenti folklorik mbarëkombëtar. Në këtë drejtim komuna do ta mbështes financiarisht festivalin, duke u mbështetur në vendimin e asamblesë komunale”, theksoi drejtoresha Gashi. Ndërkaq, Ajet Sejdiu, nga Drejtoria komunale e financave, paraqiti koston e shpenzimeve dhe procedurat e deritashme të prokurimit, shumica prej të cilave janë kryer në afatet ligjore. Në anën tjetër Binak Syla, Drejtor komunal i administratës, theksoi se sivjet cilësia duhet të jetë më mirë se më parë, duke pasur parasysh edhe se është 20 vjetori i festivalit. Kujdes, tha Syla duhet pasur edhe në fushën e informimit, në mënyrë që të përfshihen të gjitha aktivitetet që mbahen në kuadër të festivalit. Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, përkon edhe më ditëlindjen e njërit ndër komandantët më të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit-Kapuçit, i cili ishte poashtu edhe rapsod i njohur. Kësisoj, Festivali ka karakter konkurrues, dhe çmimi kryesor është ai i “Muj Krasniqit”, e po ashtu ndahet edhe “Çmimi i Publikut” dhe 12 çmime të tjera. Vlerësimin, si çdo vjet, edhe sivjet e bënë juria profesionale.
Në mbledhjen e Këshillit Organizativ , u vlerësua se Festivali për çdo vit ka shënuar arritje të larta, si për nga cilësia, masivizimi dhe pjesëmarrja e rapsodëve, grupeve, ansambleve, valltarëve dhe instrumentistëve nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora.
për aktivitetet sportive. Tashmë drejtoria artistike ka filluar aktivitetin në shpërndarjen e ftesave për ansamble, grupe që do të jenë pjesëmarrës në festival. Drejtori i festivalit, Alban Gashi, theksoi se do të krijohen kushte për të gjithë ata që angazhohen e punojnë për organizimin e festivalit.