Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili të hënën tha se kompania gjermane “Bilfinger” nuk ka shfaqur interesim për rindërtimin e Kosovës A.
Ish-ambasadori holandez e ka cituar statusin e Mustafës në Facebook, duke thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta.
Bosch ka shkruar në Facebook se ka qenë i përfshirë personalisht dhe se Ambasada e Holandës dhe ajo e Gjermanisë kanë bërë gjithçka për ta bindur Qeverinë se përmirësimi i katër prej pesë njësive ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por nuk kishte asnjë rezultat.
“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.
Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, të hënën ka deklaruar se përfaqësuesit e “Bilfinger” janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.
Sipas Mustafës, e gjitha çka kanë ofruar ata kanë qenë vetëm 15-20 faqe PowerPoint.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai tha se kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë me kompaninë Bilfinger, por, sipas tij, kompania ka qenë e painteresuar.
“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PoëerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend.
“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa.
Reagimi i Mustafës vjen pasi një ditë më parë kryeministri i vendit Albin Kurti kur njoftoi për rikthimin e bllokut B2 në punë tha, “eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MË fuqi secila.