Një aksion të Policisë Rajonale në Gjakovë që rezultoi me sekuestrimin e më shumë se 5 kg marihuanë dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për shitblerje të drogës. Të dyshuarit janë kapur në rrugën Ponoshec – Gjakovë, ku u ndaluan për kontroll nga Polica.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit, që u arrestuan janë Florencë Bashkurti (20-vjeçare) dhe Jetnor Dunisha (32-vjeçar), që të dy shtetas të Shqipërisë.
Në veturën e tyre, pas kontrollit policor, janë gjetur mbi 5 kilogramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë, e ndarë në disa paketime.
Qeset e mbushura me drogë, telefonat dhe vetura e tye janë konfiskuar nga ana e Policisë si dëshmi për rastin.
Ndërsa dy të dyshuarit, pas arrestimit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tyre, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.